Hebaj dhe Ibraimi kanë shënuar golat për fitoren e kuqezinjëve në kontrolluesen me Shkupin në Ohër.
Shkëndija vijon fazën përgatitore verore që zhvillohet në Mavrovë, ndërsa në kornizën e kësaj faze ekipi zhvilloi ndeshjen e dytë kontrolluese. Pas duelit me Prishtinën në kryeqytetin kosovarë, skuadra jonë në testin e dytë ka mundur FC Shkupin me shifrat 2:0. Pas fillimit të qetë kur ekipet matnin forcat, kuqezinjtë imponuan dominim dhe tentativat e vazhdueshme sollën ndryshim në minutën e 25-të kur topi i devijuar nga mbrojtja e Shkupit pas goditjes së Ibraimit shfrytëzohet nga Rubin Hebaj që realizon për prishje të ekuilibrave. Ky ishte rezultati i pjesës së parë, ndërsa edhe vazhdimi solli imazhe të njejta në terren. Shkëndija sulmonte dhe kërkonte golin, me Shkupin që dukej disi më i rezervuar. Në minutën e 55-të Alimi i’u afrua golit nga gjuajtja e lirë, por goli i dytë mungoi deri në minutën e 75-të. Ibraimi kombinoi bukur në zonë me Zejnullain, ndërsa numri ‘7’ realizon gol paksa të pazakontë duke drejtuar topin më rrjetë në rënie e sipër. 2:0 për Shkëndijën ishte rezultati final i kësaj përballje ku trajnerët e dy skuadrave në plan të parë kishin përgatitjen e ekipeve para pjesëmarrjes në Kupat e Europës.
SHKUPI-SHKËNDIJA 0:2 (0:1)
Stadiumi “Burimet e Bilijanës” në Ohër
Golashënues: Hebaj 25’ dhe Ibraimi 75’ (Shkëndija)
SHKËNDIJA: Zahov, Murati (c), Krivak, Neziri, Paviç, Alimi, Hebaj, Nafiu, Qaka, Doriev, Ibraimi.
Luajtën edhe: Da Silva, Bilalli, Elezi, Zejnullai, Timovski, Ramadani dhe Rakipi.
Trajner: Ernest Gjoka