Na presin 4 ndeshje vendimtare, të mërkurën në Tetovë presim Brera-n

No image

Kuqezinjtë përballen me AP Brera të mërkurën në Tetovë, para tre ndeshjeve të fundit dhe vendimtare për titullin kampion. Mbështetja më e nevojshme se kurrë!

Tre fitore rresht në Tetovë, goleada ndaj Bregallnicës (4:1), Sileksit (6:1) dhe së fundmi Gostivarit (4:1) kanë prodhuar kuqezinjtë duke shkuar 3 pikë pranë kreut të renditjes. Me 4 ndeshje deri në fund të kampionatit, Shkëndija duke e gatshme për të sulmuar titullin e kampionit, derisa gëzon forma e ekipit. Kuqezinjtë dominojnë, krijojnë shanse dhe shënojnë gola me një diferencë 14:3 në tre ndeshjet e fundit në Tetovë. Shkëndija nuk varet nga një lojtarë, sepse po funksionojnë të gjithë pa përjashtim. 

Sot skuadra ka rikuperim, të martën stërvitje me AP Brera-n në “menu” derisa të mërkurën luajmë ndeshjen e xhiros së 30-të në Ligën e Parë të Futbollit të Maqedonisë. Kërkojmë tre pikë për vazhdimësi dhe për presion shtesë ndaj Strugës e Shkupit që ndajnë kreun me nga 58 pikë. Sido që të luajnë të mërkurën rivalët, Shkëndija duhet të fitojë dhe pastaj futemi në tre xhirot e fundit kur në përballjet direkte do të vendoset gjithçka rreth titullit dhe Evropës. Pas Brerës i dalim Shkupit, presim Strugën dhe jemi mysafirë të Rabotniçkit xhiron e fundit kur mes veti luajnë Struga me Shkupin. Orar interesant për fund të zjarrtë në një sezon super nxitës kur tre ekipe luftojnë për titullin kampion. I dyti do të kënaqet me pjesëmarrje në eliminatoret e UEFA Conference League. Vendi i tretë ngelet jashtë, kështu që luhet gjithçka për gjithçka.

Shkëndija po ndjen mbështetjen e publikut në momentet vendimtare. Të dielën “Ballistët” për 90-të minuta nuk pushuan në tribunën “Marshin Beqiri” dhe skuadra u përgjigj me goleadë. Vazhdojmë njejtë, edhe më të bashkuar dhe me një qëllim. Titulli të kthehet në Tetovë. 

Share Now

Related Post