Kuqezinjtë dalin të mundur nga Tikveshi në duelin e xhiros së 28-të në Ligën e Parë të futbollit të Maqedonisë.
TIKVESHI – SHKËNDIJA 2:1 (1:1)
Stadiumi i qytetit në Kavadar
Golashënues: Spahiu 3’ dhe Maleski 62’ (Tikveshi), ndërsa Totre 23’ (Shkëndija)
Arbitër: Jovan Kaçevski (Strugë)
TIKVESHI: Rener, Stoimenovski, Fetai, Spahiu (Puzirevsksis 76’), Santos (Danoski 89’), Spirkoski (Mihailov 46’), Mil. Todorov, Varellovski (c), Ma. Todorov, Stojkoski, Neto (Maleski 46’).
Trajner: Gjorgji Mojsov
SHKËNDIJA: Taleski, Velija (Dita 66’), Cake, Adili, Merxhani, Çinari, R. Ramadani (Krstevski 66’), Totre (c) (F. Ramadani 76’), Krasniqi, Shala, Ademi (Aganspahiç 46’).
Trajner: Jeton Beqiri
Humbje e papërshtatshme dhe në moment delikat për kuqezinjtë, që u duk se mund të mbanim në presion rivalin e vendit të parë. Gjithsesi, pavarësisht humbjes 2:1 në transfertën me Tikveshin në Kavadar, për Shkëndijën mbetet detyrë në 5 xhirot e mbetura të anulojë negativën prej 6 pikëve nga vendi i parë.
Ndeshja e xhiros së 28-të nisi keq për kuqezinjtë kur Spahiu pas vetëm 3 minutave lojë shënoi për epërsi 1:0 të vendasve. U hodhëm në sulm për të barazuar, terreni i mbuluar me ujë na vështirësoi jo pak detyrën, mirëpo gjithsesi arritëm të nivelizojmë rezultatin me super golin e Totres (23’). Pavarësisht tentimeve të Shkëndijës në pauzë shkuam me barazim 1:1.
Fillimi i pjesës së dytë solli mundësi shumë të mirë për Krasniqin, mirëpo vendasit bllokojnë në moment të fundit. Tikveshi rrallë dilte përpara pasi tanët ushtronin presion, mirëpo në minutën e 58-të Santos godet fortë duke prodhuar super intervenim nga Taleski. Në minutën e 62-të gjërat shkuan keq kur pas harkimit nga këndi i vetmuar mbeti në zonë Maleski që me goditje të fortë shënon për 2:1. Aganspahiç shkoi pranë barazimit pas asistit të Çinarit, mirëpo Rener arriti të bllokojë. Portieri vendas u dallua edhe me disa pritje tjera të sigurta, duke qenë më i merituari që në fund Tikveshi mori tre pikët nga ky duel.
Ndeshja e radhës
Javën e ardhshme xhiroja e 29-të Shkëndijën e sheh si vendase të Gostivarit.
Shkëndija-Gostivari 28.04.2024