Vazhdojmë serinë e fitoreve si vendas, pasi në xhiron e 29-të mundin Gostivarin me shifrat bindëse 4:1. Fitorja e 15-të sezonale na çon 3 pikë pranë kreut në 4 ndeshje deri në fund të sezonit.
SHKËNDIJA – GOSTIVARI 4:1 (2:0)
Stadiumi i qytetit në Tetovë
Golashënues: Shala 1’ dhe 9’, Ademi 54’ dhe Çinari 88’ (Shkëndija), ndërsa Kehinde 81’ (Gostivari)
Arbitër: Igor Ivanov (Veles)
SHKËNDIJA: Taleski, Velija, Cake, Adili, Merxhani (Rexhepi 58’), R. Ramadani, Totre (c) (F. Ramadani 83’), Krasniqi (Dita 58’), Çinari, Shala (Jakupi 77’), Ademi (Krstevski 76’).
Trajner: Jeton Beqiri
GOSTIVARI: Ersu (B. Abazi 14’), Zuka, Kirovski (Dervishi 71’), Ajdini, Takahara, R. Abazi (Jonus42’),
Alhassan (Kehinde 42’), Meisner, Potuk (c), Gjurgjeviq, Timovski (Kalkan 46’).
Trajner: Ismail Atalan
Shkëndija është kthyer te suksesi, pas hapit fals xhiron e shkuar në fushë të Tikveshit (humbje 2:1), pasi sot në duelin e xhiros së 29-të në Ligën e Parë të Futbollit të Maqedonisë kemi deklasuar 4:1 Gostivarin. Kuqezinjtë me fitoren e 15-të sezonale shkojnë në kuotën e 55 pikëve, duke u afruar në vetëm 3 pikë pranë Strugës dhe Shkupit kur kanë mbetur edhe 4 ndeshje deri në fund të kampionatit. Në terren shumë të mirë për lojë Shkëndija vazhdon të dominojë dhe të prodhojë futboll me shumë shanse e gola dhe pas Bregallnicës (4:1) dhe Sileksit (6:1), shënojmë tjetër fitore bindëse me një gol diferencë 14:3 në tre ndeshjet e fundit në Tetovë.
Takimi i sotëm sikur u nis me epërsi që në zhveshtore, pasi mjaftuan pak më shumë se 40 sekonda për të shënuar golin e parë të ndeshjes. Pas një super asisti të Çinarit, Adenis Shala realizon golin më të shpejtë të Shkëndijës në këtë sezon, nëse jo edhe golin më të shpejtë të gjithë kampanjës. Kuqezinjtë vazhduan me lojën sulmuesi dhe efekti erdhi në minutën e 9-të kur Totre bukur shërben në zonë, Çinari e Shala dalin para portierit kundërshtar, derisa përfiton Shala që del i vetmuar para portës dhe përcjell topin në rrjetën e zbrazët. Për Shalën ky ishte goli i 8-të sezonal, derisa 4 herë ka shënuar në rrjete të Gostivarit. Në vazhdim patëm tjera shanse për gol, në momente Çinari ishte në situata të mira, por në asnjë situatë nuk u shërbye me top nga bashkëlojtarët. Gostivari pjesën e parë thuajse nuk tregoi asgjë, përveç që mbetën pa portierin e parë Erten Ersu që doli i dëmtuar nga përplasja më Çinarin në momentin e golit të dytë të tanëve dhe i la vendin Bujar Abazit, kanosjen e parë dhe të vetme e kishin në minutën e 24 kur Taleski çoi në këndore tentimin e Potuk-ut. Ndërkohë vlen të ceket se përveç portierit shkaku i lëndimit, trajneri i miqve i pakënaqur me lojën e të tijëve në minutën e 42-të kreu edhe dy zëvendësime, derisa bashkë me Kalkanin që mori vendin e Timovskit në start të pjesës së dytë pa kaluar 46 minuta kishte kryer 4 zëvendësime.
Pjesa e dytë nisi me lojë të njejtë nga tanët që dominonin dhe krijonin shanse goli, derisa ndryshim sollëm në minutën e 54-t kur Çinari bukur harkon në zonë ku Fiton Ademi me kokë realizon për 3:0. Në minutën e 60-të Taleski prodhon super pritje duke i ndalur një shans shumë ideal Kehindes, derisa në anën tjetër sërish kishim mundësi për të nxjerrë në shans goli Çinarin, por gabonim në momentet vendimtare. Një pakujdesi në minutën e 81-të solli gol për miqtë me autor Kehinden, mirëpo shpejt kthyem dominimin dhe u përgjigjëm me gol në minutën e 88-të kur Çinari me goditje të saktë vulosi rezultatin final Shkëndija 4, Gostivari 1.
Ndeshja e radhës
Mesjava sjell ndeshjet e xhiros së 30-të dhe Shkëndijën luan sërish si vendas, kësaj here presim AP Breran nga Strumica.
Shkëndija-AP Brera 01.05.2024