Shkëndija përfundon aventurën europiane, pasi eliminohet nga Rosenborgu i Norvegjisë në stacionin e fundit para fazës së grupeve të UEFA Europa League. Kuqezinjtë u mundën 2:0 në takimin e kthimit të play offit dhe eliminohen nga Europa, pasi paraprakisht ishin mundur 3:1 edhe në takimin e parë në Trondheim. Eliminimi dhemb nëse llogaritet fakti se kuqezinjtë kishin dominim në terren dhe shumë shanse të humbura në të dyja ndeshjet, posaçërisht në takimin e kthimit kur në rezultat 0:0 mes tjerash humbën edhe dy penalti, nga një në secilën pjesë me Ibraimin dhe Eminin. Dhe si thotë thënia e pashkruar në futboll, kur nuk shënohen rastet e 100% vjen dënimi.  Shkëndija pagoi shtrejntë huqjet pasi kundërshtari menaxhoi të shënojë dy gola. Fillimisht Hovland në minutën e 67-të shënon për 0:1, ndërsa gjashtë minuta para fundit Reginiussen me kokë vulos rezultatin final Shkëndija 0, Rosenborgu 2. Kështu Shkëndija eliminohet për të tretën herë me rradhë në play off të UEFA Europa League dhe tashmë vëmendja kthehet ka skena vendore.

PJESA E PARË

Kuqezinjtë nisën të vendosur për të kërkuar me gjithë forcat eliminimin e negativës 3:1 nga ndeshja e parë dhe Totre sjell ‘shkëndijat’ e para kur pa kaluar dy minuta të plota lëshon një të djathtë që detyron të zgjatet mirë portierin mysafir Hansen, për të mbajtur aktiv rezultatin e fillimit. Pak më vonë Ibraimi vonohet pak centimetra për të shfrytëzuar diagonalen e Alimit dhe topi kontrollohet me duar nga poriteri mysafir. Rosenborgu u lirua nga presioni fillestar dhe solli një kanosje me kokë që nuk gjeti portën, ndërsa kuqezinjtë në minutën e 15-të gjejnë golin me Bejtullain mirëpo i njejti anulohet për pozitë jashtëloje. Ofenziva e Shkëndijës do të vazhdonte dhe në minutën e 17-të Alimi kërkon portën, mirëpo pret Hansen. Dominimi kuqezi në minutën e 19-të rezultoi me penalti të fituar nga Besart Ibraimi, mirëpo goditja e të njejtit nga pika e bardhë pritet nga Hansen. Emini disa sekonda më vonë u duk se solli epërsinë, por topi nuk gjen kuadrantin. Pasuan disa minuta të qetë para se Mici me një të majtë të fortë të rikthente emocionet por pa gjetur portën kundërshtare. Portieri mysafir Hansen vazhdonte të tregojë koncentrim në portë kur në minutën e 31 pa shqetësim kontrolloi tentimin e Ibraimit, i cili vazhdonte të jetë kërcnim serioz për miqtë që në gjitha mënyrat arrinin të shpëtonin. Të njejtin epilog pati edhe tentimi i Juniorit me kokë që shkon jashta portës pas harkimit të Muratit. Në vazhdim Junior inspiroi sulm të ri dhe asiston drejt Eminit, goditja e të cilit kontrollohet në dy kohë nga Hansen.

PJESA E DYTË

Fraksionin e dytë e fillojmë vrullshëm dhe fitojmë tjetër njëmbëdhjetëmetërsh si mundësi e 100% për të avansuar, mirëpo tani portieri mik Hansen ndal goditjen e Eminit. Në anën tjetër Zahov bën mrekullinë kur prodhon pritje fenomenale pas tentimit të Konradsenit. Ibraimi sjell një goditje të fortë që neutralizohet mrekullisht nga Hansen, ndërsa pak më vonë e majta e fortë e numrit shtatë shkoi mbi traversë. Kur nuk shfrytëzohen kaq shumë mundësi shënimi mes të cilave edhe dy penalti, rregulla e pashkruar në futboll thotë se vjen dënimi. Ashtu ndodhi edhe tani kur miqtë kalojnë në epërsi 1:0 në minutën e 67-të me autor të golit Even Hovland. Negativa bëri të bie tensioni i lojës dhe për disa minuta ishin miqtë që kontrollonin lojën pasi tashmë nuk kishin presionin mbi supet e tyre. Shkëndija u rikthye të kanoset njëmbëdhjetë minuta para fundit, mirëpo e djathta e Bojkut devijohet në këndore. Miqtë tashmë luanin më lirë dhe më shpesh dilnin përpara, duke arritur të sjellin golin e dytë në minutën e 84-t kur Reginiussen shënon me kokë për 2:0 pas një harkimi të saktë nga goditja e dënimit. Në minutat shtesë Emini tentoi të gjejë golin e nderit me një të djathtë të fortë, mirëpo pret sërish portieri mysafir duke lënë në fund rezultatin 0:2.

SHKËNDIJA-ROSENBORG  0:2 (0:0)
Stadiumi “Filipi i Dytë” në Shkup
Shikues: 6 000
Arbitër: Aleksei Kulbakov (Bjellorusi)
Golashënues: Hovland 67’ dhe Reginiussen 84’ (Rosenborg)
Kartona të verdhë: Junior, Musliu dhe Bejtullai (Shkëndija)
SHKËNDIJA: Zahov, Bejtullai, Alimi, Musliu, Ibraimi, Totre (Bojku 76’), Murati, Junior, Emini, Mici (Shefiti 86’), Nafiu (Selmani 64’).
Trajner: Qatip Osmani
ROSENBORG: Hansen, Hedenstad, Meling, Reginiussen (Serbeçiç 88’), Jensen (c), Konradsen, Bendtner (Soderlund 74’), Hovland, Levi (Deniç 62’), Lundemo, Jebali.
Trajner: Marinus Johannes Coolen

Share Now

Related Post