Kuqezinjtë koleksionojnë fitoren e parë në sezonin e ri të Ligës së Parë të futbollit të Maqedonisë pasi mundën 4:1 Bellasicën në takimin e xhiros së tretë. Në një takim me formacion të kombinuar, shkëlqyen Emini me tre gola dhe Junior me një realizim, ndërsa publiku vlerësoi paraqitjen e Gledi Micit që e përshëndesnin me ovacione. Fillimi paralajmëroi befasi kur Bellasica kaloi para 1:0 me golin e Vusljaninit në minutën e 11-të, por vazhdimi do të fliste vetëm për kuqezinjtë. Emini barazoi rezultatin në minutën e 35-të, ndërsa Junior solli përmbysjen katër minuta më vonë për epërsi 2:1 pas pjesës së parë. Në të dytëm dominim i kuqezinjëve që sjellin edhe dy gola me Eminin. Fillimisht në minutën e 76-të kur sulmuesi realizon me kokë pas harkimit të Micit, ndërsa në të 80-ën me realizim të saktë nga penaltia. Me tre pikë të koleksionuara kuqezinjtë tashmë kthejnë gjithë vëmendjen kah sfida e të enjtes me Rosenborgun.
PJESA E PARË
Pas një harkimi të gjatë nga Murati në minutën e shtatë, Mici godet fortë me të parën vetëm disa centimetra mbi portë. Të vendosur në pjesën e kundërshtarit kuqezinjtë kërkonin epërsi të shpejtë, mirëpo befasisht goli do të vinte në rrjetën vendase. Ishte minuta e 11-të kur portieri Rexhepi gabon në tentimin për të larguar topin përpara, ndërsa Irfan Vusljanin me parabolë të saktë çon topin në rrjetën e zbrazur për epërsi 1:0 të miqve. Shkëndija tani duhej të ndjek negativën dhe presioni në minutën 18-të solli rëmujë para portës mysafire, mirëpo arbitri nuk sanksionon me penalti lojën me dorë nga një futbollist i Bellasicës. Të orientuar në mbrojtje miqtë shansin e tyre e kërkonin në kundërsulm dhe në minutën e 24-t Milushev avanson përpara dhe lëshon një të majtë të fortë që nuk gjen kuadrantin. Bellasica për pak nuk gjeti golin e dytë në minutën e 26-të kur një gabim në mbrotjen kuqezi solli mundësi të 100%, por fatmirësisht Sulev huq portën e zbrazur. Ky ishte sinjal për kuqezinjtë të marrin lojën më me koncentrim dhe vazhdimi i pjesës së parë foli vetëm për kuqezinjtë që rritën presionin dhe arritën kthesën e rezultatit në harkun kohor prej katër minutave. Fillimisht në të 35-ën Junior inspiron aksion, Imeri kthen topin para portës ku Emini plason saktë për 1:1. Kuqezinjtë nuk ndalën rritmin dhe pas një aksioni të gjatë në minutën e 39-të Junior sjell përmbysjen dhe Shkëndija avanson 2:1. Fundi i pjesës së parë mund të sillte epërsi më bindëse për kuqezinjtë që krijuan disa mundësi të mira. Fillimisht Murati godet skaj portës pas harkimit të Micit, ndërsa pak më vonë nga gjuajtja e lirë provon Mici por Vujanac devijon në këndore. Nuk gjen kuadrantin goditja e Eminit me kokë, ndërsa në sekondat e fundit bomba e Adilit nga gjuajtja e lirë shkon skaj shtyllës pingule. Bellasica u duk e shtypur në pjesën e dytë dhe duhej të kalojnë 74 minuta për të parë kanosjen e parë, por Rexhepi kontrollon sigurtë tentimin e Gorgievit. Në anën tjetër provon Totre, por pret Vujanac.
PJESA E DYTË
Fraksioni i dytë nisi me një të djathtë të Bojkut që nuk gjeti kuadrantin, ndërsa pak më vonë pas harkimit të Adilit, godet skaj portës me kokë Selmani. Ky i fundit në minutën e 53-të depërton thellë në të majtë, ndërsa miqtë për pak nuk shënuan në rrjetë të tyre. Portieri Vujanac u shfaq me pritje vendimtare pas goditjes me kokë të Eminit, që shërbehet me harkim të saktë nga Murati. Ndeshja edhe më tej vazhdoi të ngjante në trafik njëkahësh dhe në minutën e 66-të Junior dhe Emini kombinojnë bukur, mirëpo brazilianin nuk gjen rrjetën nga afërsia. Pak më vonë mundësi për Micin që lëshon një të majtë të fortë jashta portës. Ndryshimi do të vinte në minutën e 76-të kur Mici harkon saktë në zonë, ndërsa Emini me kokë realizon për 3:1. Pa ndalur intensitetin kuqezinjtë fitojnë penalti me Totren, ndërsa Emini në dhjetë minuta para fundit kompleton hat trikun për rezultat 4:1.
SHKËNDIJA-BELLASICA 4:1 (2:1)
Stadiumi i qytetit në Tetovë
Shikues: 3 500
Golashënues: Emini 35′, 76′ dhe 80′, si dhe Junior 39′ (Shkëndija), ndërsa Vusljanin 11′ (Bellasica)
Kartona të verdhë: Xhonov, V. Serafimovski dhe Milushev (Bellasica)
SHKËNDIJA: Rexhepi, Bejtullai, Totre, Selmani (Nafiu 73′), Murati, Junior (Shefiti 79), Bojku, Emini (c), Mici, Imeri (Zejnullai 64′), Adili.
Trajner: Qatip Osmani
BELLASICA: Vujanac, Milushev, Xhonov, V. Serafimovski, Vusljanin, Sulev (Bozhinov 58′), Todorov, Mitevski (c), Kalpaçki (Tashev 46′), J. Serafimovski, Baldovaliev (Gorgiev 65′).
Trajner: Marjan Zhivkoviç