DEKLARATA | Trajneri Beqiri flet pas ndeshjes me Sileksin

No image

Triumfi bindës 6:1 ndaj Sileksit në duelin e xhiros së 27-të në Ligën e Parë të futbollit të Maqedonisë, ka lënë të kënaqur trajnerin Jeton Beqiri edhe pse në prononcimin e tij pas ndeshjes insiston të qëndrojë i qetë dhe të marrë ndeshjet njëra pas tjetrës. Gjithsesi, kuqezinjtë performuan në nivel të lartë, duke prezantuar lojën më bindëse të sezonit. Dy gola të Krasniqit, realizimet e Cakes, Aganspahiçit e Florent Ramadanit, si dhe autogoli i boshnjakut Trako çuan në gjashtë numrin e golave të tanëve, duke bërë krejtësisht të pavlefshëm barazimin e përkohëshëm të miqve me Eftimovin.

….fitore bindëse.….

Jeton Beqiri: “Më pëlqeu mënyra e lojës si luajtëm, më pëlqeu mënyra se si dominojmë dhe si vijmë deri te krijimi i rasteve. Normalisht, pjesa e parë ishte shumë stresuese për shkak se gjithë ato raste të humbura, dominim total dhe u mbyll 1:1, unë pashë një dëshpërim te lojtarët në pauzën mes dy pjesëve. Për herë të parë unë kam bërtitur me zë më të lartë, sepse doja të zgjoja futbollistët që ishin totalisht jasht realitetit, duke mos kuptuar se luanin shumë mirë dhe ishte vetëm çështje fati. Jam i kënaqur me performansën në përgjithësi. Duhet vetëm të kemi kujdes kur kundërshtari na vjen një herë apo dy herë deri te porta dhe shënon, duhet të përmirësohemi. Por besoj se ekipi nga ndeshja në ndeshje në aspektin e lojës dhe dominimit shprehet më mirë.”

….tre golat e parë pas harkimeve nga këndi.….

Jeton Beqiri: “Është interesante se këtë javë pikërisht për këtë segment të lojës unë i kam qortuar futbollistët për shkak se unë si trajner dhe ne si staf gjithmonë i stërvisim me përpikmëri dhe unë në gjitha skuadrat ku kam qenë kam shënuar më shumë se te Shkëndija nga goditjet standarde. Këtë vit nga 7-8 ndeshjet e kaluara nuk kemi mundur të shënojmë, si duket gjithë këtë e kishim ruajtur për sot. Megjithatë gjitha situatat e ndeshjes duhet të respektohen, pasi goli nuk shënohet vetëm në një mënyrë. Shënohet në disa mënyra. Por positive për sot është se ne dominuam me lojë dhe rezultat një skuadër që meriton respekt në Ligën e Maqedonisë.”

….6:1, impuls në garën për titull.….Jeton Beqiri:“Besoj se ka akoma ndeshje dhe takimet e radhës të gjitha janë me kundërshtarë serioz, pastaj do të vijnë edhe duelet direkte me rivalët. Por mua më gëzon fakti se forma jonë shkon në rritje dhe kjo është shumë me rëndësi. Ne kemi gabuar shumë, kanë gabuar edhe rivalët për hir të vërtetës, por me kualitetin që kemi, disa barazime kanë qenë dobësi e jona, disa situata kemi qenë thjesht pa fat. Mirëpo futbolli ndonjëherë ta merr pjesën e fatit, ndonjëherë ta kthen, kështu që ndeshjeve të mbetura ne duhet tu futemi si finale. Jo vetëm për skuadrën tonë, pasi të jemi të sinqertë vetëm dy tre skuadra nuk kanë ndonjë imperative në kampionat, derisa gjithë ekipet tjera janë në garë, si lufta për mbijetesë që është shumë e ashpër, ashtu edhe gara për titullin e kampionit shumë e fortë. Mirëpo ne duhet të jemi me këmbë në tokë, duhet të punojmë, të insistojmë që nga dita në ditë të përmirësohemi dhe të japim kështu performansa. Nëse do të jemi dominant dhe do të kemi kështu paraqitje, mund të ndodh në ndeshje si ajo me Makedonija Gj.P. mos kesh fat, të godasësh pesë herë shtyllën, të humbësh shumë raste dhe të luash barazim, por nuk mund të ndodh ajo në seri.”

Share Now

Related Post