Press konferencë para ndeshjes Shkëndija vs HJK Helsinki

No image

Trajneri Osmani dhe kapiteni Hasani kanë reflektuar optimizëm në konferencën për shtyp para takimit të parë me HJK Helsinkin në raundin e dytë të eliminatoreve të UEFA Europa League. Shkëndija-HJK Helsinki zhvillohet të enjten në Strumicë me fillim në orën 18:00.

 

Pasi eliminuan në mënyrë bindëse (7:0 rezultati i përgjithshëm) Daçian e Moldavisë, futbollistët e  Shkëndijës maksimalisht janë koncentruar për sfidat e rradhës evropiane, kur të enjten përballet me HJK Helsinkin e Finlandës në ndeshjen e parë të raundit të dytë te eliminatoreve të UEFA Europa League. Në konferencën për shtyp zyrtare para takimit të nesërm shefi i stafit teknik Qatip Osmani dhe kapiteni Ferhan Hasani kanë folur me respekt për ekipin finlandez, mirëpo me besim në kualitetin e vet paralajmërojnë luftë të madhe për rezultat pozitiv.

“Pas kualifikimit në këtë raund të garave të Europa League ne e shfrytëzuam këtë periudhë për tu përgatitur për ti përmirësuar gabimet që patëm kundër Daçias, edhe pse ishin të pakta, por sërish kishte gabime. Në këtë raund na pret skuadra e Helsinkit e cila realisht është ekip më kualitative se Daçia ashtu që ne maksimalisht seriozisht e presim këtë ndeshje dhe nesër do të dalim për të nxjerë rrezultat pozitiv”, deklaroi shefi i stafit teknik, Qatip Osmani.

“Kemi para kundërshtar të fortë. Pas ndeshjeve që treguam në raundin e parë kundër Daçias edhe pse kishim rezultat të mirë, kjo nuk do të thotë se do ta kemi të lehtë në raundin e dytë, pasi kemi përballë kundërshtar të fortë. Mirëpo nëse përsërisim paraqitjet si në raundin e parë, me maksimumin e të gjithëve mendoj do të arrijmë rezultat pozitiv”, shprehet kapiteni Ferhan Hasani.

“Kuqezinjtë” prej sot janë vendosur në Strumicë, ndërsa në orën 19:00 do të zhvillojnë seancë stërvitore në stadiumin “Mlladost”.
Përballja Shkëndija-HJK Helsinki luhet të enjten në Strumicë, me fillim në orën 18:00.