Rexhepi dhe Shala na japin fitore 2:0 përballë Pobedës, duke u ngjitur në vend të dytë pas xhiros së 25-të në LPFMV.
Detajet e ndeshjes:
SHKËNDIJA-POBEDA 2:0 (0:0)
Stadiumi i qytetit në Tetovë
Golashënues: Rexhepi 29 dhe Shala 68’ (Shkëndija) Arbitër: Ivana Projkovska (Shkup)
SHKËNDIJA: Talevski, Rexhepi, Bejtullai, Cuculi, Çinari (Mujezinoviç 73’), Totre (Ramadani 73’), Elezi (Milev 46’), Hasani (c) (Nuhija 89’), Shala (Doriev 85’), Dita, Qaka.
Trajner: Qatip Osmani
POBEDA: Tofiloski, Hani (Dujovski 62’), Panovski (Jovanov 46’), Çajani, Aliu, Delibashiq (Kudjan 62’), Dadet (Ferati 62’), Arizankoski, Stoimenovski, Kofilovski, Naumoski (Spirkoski 75’). Trajner: Bllazho Panov
Ndeshja:
Kuqezinjtë koleksionojnë fitoren e 4-t të njëpasnjëshme, derisa fitorja 2:0 përballë Pobedës na ngjet në vendin e dytë në renditje, duke shfrytëzuar humbjen e Shkupit nga Skopje. Fitorja e 12-të sezonale erdhi përmes golit të Almir Rexhepit, i cili gjeti golin debutues në duelin e parë si titullar me Shkëndijën, derisa në të dytën Shala mbylli llogaritë me golin e tij të pestë sezonal dhe të parin në Tetovë. Me mungesa të rëndësishme në formacion (Maksimov e Jakupi të lënduar, ndërsa Cake e Murati për arsye pezullimi me 5 kartona të verdhë), trajneri Osmani kishte bërë disa ‘rokada’ në formacion. Bejtullai luajti si mbrojtës i djathtë, Cuculi e Dita si mbrojtës qendre, pas një kohe në formacion ishte dhe Elezi, ndërsa për herë të parë si titullar nisi Almir Rexhepi.
Shkëndija që në start bëri me dije se vetëm fitorja i intereson në këtë përballje dhe kanosjen e parë e solli Çinari me një të djathtë që nuk shqetësoi seriozisht portierin Tofiloski. Të njejtin epilog pati edhe tentimi i Totres, derisa në minutën e 20-të Cuculi prodhon super asist drejt Çinarit, mirëpo sulmuesi goditi mbi portën mysafire. Nëse humbëm shans 100% për gol me Çinarin, golin e epërsisë do ta gjenim nga një situatë krejtëisht e vdekur kur Rexhepi realizoi nga këndi i mbyllur. Çinari bukur shërbeu në zonë për Rexhepin, i cili u duk se nuk kontrolloi topin si duhet dhe mbylli këndin e portës, mirëpo provoi me të majtën diçka ndërmjet asistit dhe goditjes, derisa topi përfundoi në rrjetë për epërsi 1:0 të Shkëndijës me golin e parë në karrierë për mbrojtësin e majtë Almir Rexhepi. Shkëndija vazhdoi dominimin edhe në vazhdim dhe pak para pauzës çuditërisht nuk gjetëm golin e dytë kur Shala asistoi bukur për Hasanin, mirëpo tentimin e kapitenit me super intervenim e shpëtoi portieri mysafir Tofiloski.
Në minutat e para të pjesës së dytë Pobeda shfaqi apetite sulmuese, por pa arritur të krijojë ndonjë situatë më serioze për gol, derisa Shkëndija shpejt ktheu dominimin në terren, derisa vetëm jo preciziteti dhe super pritjet e portierit Tofiloski bënë që mos vinte goli i dytë pas tentimeve të Hasanit, Totres e Çinarit. Me disa ndryshime trajneri Osmani kërkonte t’i jepte skuadrës freski, derisa Ramadani i inkuadruar në të dytën në lojë nuk ishte me fat kur goditi mbi portë nga distanca. Goli i dytë gjithsesi do të vinte kur në minutën e 69-të Bejtullai gjeti në zonë Shalën, ndërsa sulmuesi anësorë me goditje me të parën realizoi për 2:0. Deri në fund Shkëndija krijoi edhe 3-4 raste të mira për gol, por në fund rezultati mbeti 2:0 dhe kuqezinjtë koleksionuan fitoren e rradhës, derisa pas humbjes së Shkupit marrim vendin e dytë në renditje me 5 pikë pas Struga Trim&Lum.
Ndeshja e radhës
Shkëndija do të jetë aktive edhe në mesjavë, kur në kuadër të gjysmëfinales së Kupës së Maqedonisë të mërkurën në Tetovë presim Makedonija Gj.P..
Shkëndija-Makedonija Gj.P. 05.04.2023