Kuqezinjtë munden në Tetovë 1:0 nga Pobeda në ndeshjen e parë të çerekfinales së Kupës së Maqedonisë dhe në vend të epërsisë në takimin e kthimit do të shkojnë me negativë minimale. Një gol i Makotas në minutën e 19-të u tregua vendimtar në këtë përballje të cilën Shkëndija e luajti me një futbollist më pak nga minuta e 46-të kur me karton të kuq (dy të verdhë) u përjashtua Egzon Bejtullai. Me mungesa të rëndësishme si Ibraimi e Junior të dy të lënduar, gjithsesi Shkëndija ishte në moment pozitiv pasi vinte në këtë ndeshje me seri prej pesë fitoreve të njëpasnjëshme në kampionat, ndërsa në sezonin e ri garues ishte mundur vetëm një herë edhe atë pikërisht nga rivali i sotëm në xhiron e shtatë në Tetovë. Kuqezinjtë hynë në lojë në kërkim të fitores dhe epërsisë para ndeshjes së kthimit, mirëpo përkundër dominimit në terren në fund duhej të pranojë disfatën minimale. Gjithsesi kjo ishte vetëm ndeshja e parë, ndërsa mbetet edhe takimi i kthimit në transfertë më 5 dhjetor.

PJESA E PARË
Duke ditur se në Kupë luhen dy ndeshje dhe epërsia nga takimi i parë gjithmonë është e rëndësishme kuqezinjtë u vendosën në sulm që në start të takimit. Loja luhej gjithnjë në pjesën kundërshtare, mirëpo për kanosjen e parë konkrete u prit deri në minutën e 15-të kur e djathta e fortë e Imerit nuk gjeti kuadrantin. Loja e hapur ekipit i kushtoi pësimin e golit në minutën e 19-të kur në një dalje të miqve fillimisht intervenoi mirë Zahov, në vazhdim topi u ndal në shtyllë, ndërsa në tentimin e tretë Makota shënoi për 0:1. Tash duhej të ndjekim negativën dhe pas një aksioni të mirë Totre del para portës mirëpo shpëton portieri mysafir Tofiloski. Minutat e fundit të pjesës së parë kaluan me presion të madh të kuqezinjëve që megjithatë nuk mundën të gjejnë barazimin kur goditja e Musliut shkoi mbi portë, tentimin e Nafiut e kontrolloi Tofiloski, ndërsa fare në fund Fazli u bllokua në kohë dhe fitoi vetëm rivënia nga këndi.
 


 
PJESA E DYTË
Gjërat u vështriësuan në start të pjesës së dytë kur me kartonin e dytë të verdhë u ndëshkua Bejtullai që automatikisht duhej të largohet nga loja me të kuq. Pas dhjetë minutave një harkim i Alimit ndiqet nga Çeshmexhiev, mirëpo kontrollon mirë Tofiloski. Barazimit i’u afruam në minutën e 58-të kur Mici gjen në zonë Eminin, mirëpo përkundër lëvizjes së bukur goditja e sulmuesit shkon pak skaj portës. Pak më vonë nuk përfituam nga mosmarëveshja e miqve kur në tentimin për të kthyer topin me kokë mbrojtësi kundërshtar parabol portierin, por Mici nuk arrin të shënojë i vonuar para Tofiloskit. Alimi dhe Nafiu sollën goditjet e rradhës, të dyja të bllokuara në këndore. Shkëndija rriti presionin dhe me dhjetë lojtarë në fushë vazhdimisht kërkonte barazimin që asesi të vinte. Alimi e Nafiu kishin tentime të pasuksesshme, ndërsa goditja e Selmanit me kokë kontrollohet nga Tofiloski. Derisa kuqezinjtë humbnin mundësi, në kohën shtesë Zahov shpëtoi pranimin e golit të dytë pas goditjes së fortë të Isaevskit. Në fund sfida mbyllet 0:1 dhe kuqezinjtë në ndeshjen e kthimit në transfertë do të shkojnë në kërkim të përmbysjes.
 

 

SHKËNDIJA-POBEDA 0:1 (0:1)
Stadiumi i qyteti në Tetovë
Shikues: 500
Arbitër: Konstantin Vlaho
Golashënues: Makota 19′ (Pobeda)
Kartona të verdhë: Bejtuallai 2, Zahov dhe Mici (Shkëndija), ndërsa Makota, Tofilovski, Mustafov, Timovski dhe Nabueze (Pobeda)
Karton i kuq: Bejtullai 46′ (Shkëndija)
SHKËNDIJA: Zahov, Mici, Bejtullai, Alimi (c), Musliu, Totre, Murati, Emini, Imeri (Çeshmexhiev 51′), Nafiu (Selmani 84′), Fazli (Bojku 61′).
Trajner: Qatip Osmani
POBEDA: Tofiloski (c), Timovski, Jaqimoviq, Velkoski, Kalanoski (Nabueze 60′), Mandiq, Dragarski, Makota (Spirkoski 75′), Mustafov, Isaevski, Naumoski (Tanushev 60′).
Trajner: Toni Meglenski

➡️ MaYa.mk
Share Now

Related Post