Po, po, poooo. Shkëndija fiton AP Brerën dhe sheh veten në krye të renditjes. Fitore e çmendur e kuqezinjëve, që negativën 0:2 e përmbysin për triumf 3:2 në kohën shtesë. Ademi, Cake e Aganspahiç shënuan golat dhe në kombinim me humbjen e rivalëve Shkëndija merr kreun me pikë të barabarta me Shkupin dhe Strugën.
SHKËNDIJA – AP BRERA 3:2 (0:1)
Stadiumi i qytetit në Tetovë
Golashënues: Ademi 77’, Cake 87’ dhe Aganspahiç 90’+4 (Shkëndija), ndërsa Ivkoviq 15’ dhe Cvetanoski 68’ (AP Brera)
Arbitër: Ivana Projkovska (Shkup)
SHKËNDIJA: Taleski, Velija, Cake, Adili (Ademi 73’), Rexhepi (Merxhani 68’), Dita (c) (Totre 46’), Qaka (R. Ramadani 46’), Krstevski (Shala 46’), Çinari, Krasniqi, Aganspahiç.
Trajner: Jeton Beqiri
AP BRERA: Kupanov, Ristevski, Rufati, Stameniq (Antonio 62’), Cvetanoski (Trajkov 82’), Ivkoviq (Millovanoviq 62’), Andonov, Obiodun (Stojkov 73’), Mato (Georgiev 82’), Tomovski (c), Martins.
Trajner: Shefki Arifovski
Po, po, poooo. Shkëndija fiton AP Brerën dhe sheh veten në krye të renditjes. Humbin Struga dhe Shkupi dhe tre xhirot e fundit tre ekipet e kreut hyjnë me nga 58 pikë. Shkëndijë spektakolare, që refuzon në dorëzohet edhe kur Brera avansonte 2:0 dhe me epërsinë momentale të Strugës 1:2 ndaj Tikveshit largoheshim 6 pikë larg vendit të parë. Por mrekullia ndodh për ata që besojnë, dhe ata që insistojnë në fund fitojnë.
I marrim gjërat me radhë, kur ndeshjen e xhiros së 30-të duhej ta nismin me ndryshime në formacion. Dita, Qaka, Rexhepi, Krstevski dhe Aganspahiç nisën si titullarë, në bankinë u ndalën Ademi e Shala, si dhe Totre, R. Ramadani e Merxhani që seancën e fundit stërvitore ishin ankuar në probleme me lëndime. Ashtu si në fundjavë ndaj Gostivarit edhe sot nisëm furishëm, duke i’u afruar golit pas vetëm 46-të sekondave lojë, mirëpo goditjen me kokë të Aganspahiçit e ndal me shumë fat porteri mik, Kupanov. Pak më vonë (minuta e dytë) super aksion zhvillojnë Çinari dhe Velija, mirëpo goditja e numrit 7 shkon skaj portës. Në minutën e 15-të një pakujdesi në mbrojtje na kushtoi me negativë kur Ivkoviq realizon për epërsi të Brerës 1:0, rezultat që nuk ndryshoi deri në fund të pjesës së parë.
I pakënaqur si shkonin gjëra, në start të fraksionit të dytë trajneri Beqiri solli tre zëvendësime kur në lojë hynë Totre, R. Ramadani dhe Shala (në vend të Ditës, Qakës dhe Krstevskit), ndërsa më vonë do të vinin edhe Ademi e Merxhani. Çinari pa kaluar tre minuta të pjesës së dytë me kokë shkoi pranë barazimit, mirëpo topi shkoi sakj portës. Shkupi e Struga në këto momente ishin në negativë dhe presioni i pikëve bënte tanët të gabojnë. Cake do të sillte një tentim, por pa sukses dhe situata të do përkeqësohej akoma më shumë kur Cvetanovski (minuta e 68-të) shënoi për 0:2 paralel me përmbysjen e rezultatit në ndeshjen në Kavadar (Tikveshi-Struga 1:2). Këtu publiku sikur ndjeu se duhet të bëhet erë në shpinën e lojtarëve. Në tribuna fuqishëm dëgjohej Shkëndija, Shkëndija, Shkëndija,…. e Shkëndija nuk do të kthente mbrapsht mbështetjen. Fiton Ademi shënoi për 1:2 në minutën e 77-të duke ndezur një shkëndijë të fuqishme për përmbysje. Krejt përpara dolem sepse koha ishte aleat i kundërshtarit dhe kur shpresat filluan të shuhen, Cake godet saktë për barazim 2:2 Tani ishte çmenduri në tribuna sepse edhe Tikveshi barazoi ndaj Strugës dhe 7 minuta kohë shtesë sikur ishin impuls drejt përmbysjes. E katërta minutë shtesë, Krasniqi harkon saktë para portës ku Aganspahiç kërcen më lartë se portieri me duar. Topi në rrjetë, në terren e tribunë çmenduri. Tikveshi shënon të tretin ndaj Strugës dhe Shkëndija del e para në renditje. Kampione, kampione, kampioneeee, jehon në tribuna për festë të madhe të kuqezinjëve. Tre pikë të mëdha në një moment vendimar, por edhe moment për kujdes sepse ka akoma punë për tu bërë. Asgjë nuk është kryer, veçse i kemi krijuar vetes pol position para tre ndeshjeve të fundit.
Ndeshja e radhës
Të shtunën në program janë ndeshjet e xhiros së 31-të kur Shkëndija do të jetë mysafire e Shkupit në Çair.