Radeski: Në Helsinki të materializojmë epërsinë 3:1

No image

Sulmuesi anësor beson se Shkëndija është e denjë për tjetër rezultat pozitiv në transfertën me HJK Helsinkin, për të siguruar kualifikimin në raundin e tretë eliminator të UEFA Europa League.

 

“Kuqezinjtë” duken maksimalisht të koncentruar për sfidën e kthimit me HJK Helsinkin, kur drejt Finlandës do të udhëtojnë me epërsi 3:1 nga takimi i parë i luajtur në Strumicë. Fitorja ka ngritur edhe më shumë entuziazmin në skuadër, epërsia duket solide, mirëpo askush nuk guxon të mendojë se puna rreth kualifikimit është kryer pasi pasojnë edhe 90-të minuta.

 

“Jemi duke u përgatitur me përkushtim maksimal për sfidën e kthimit me HJK Helsinkin, pasi përkundër fitores 3:1 në takimin e parë jemi të vetëdishëm se kemi bërë vetëm gjysmën e rrugës. Na pret edhe shumë punë dhe ne duam të vazhdojmë me tempo të njëjtë edhe në Helsinki. Skuadra vendase sigurisht se do të kërkojë shanset e veta, por ne jemi të gatshëm për të dhënë gjithçka në teren për të marrë rezultatin që do të na çojë në raundin e tretë”, shprehet sulmuesi i krahut, Marjan Radeski.

Futbollistët sot dhe të martën para dite do të ushtrojnë në Tetovë, ndërsa të mërkurën në mëngjes udhëtojnë drejt Helsinkit. Të mërkurën pas dite skuadra do të zhvillojë seancën zyrtare stërvitore në stadiumin “Telia 5G –Areena” në Helsinki, ndërsa përballja kthyese në program është të enjten nga ora 18:00.