Prilli sjell orar të ngjeshur me 7 ndeshje në 23 ditë

No image

Djemtë e trajnerit Qatip Osmani kanë para vetes prill të zjartë, pasi duhet të luajnë ndeshje çdo tre ditë në kampionat dhe Kupë.

Sezoni aktual ka arritur në një pikë deçizive për KF Shkëndija. Tanimë ka nisur muaji prill shumë i ngjeshur, gjatë të cilit kuqezinjtë do të garojnë në dy fronte: kampionat dhe Kupën e Maqedonisë. Në harkun kohor prej vetëm 29-të ditëve, skuadra do të zhvillojë tetë përballje, prej të cilave e para ishte të dielën në transfertën kampionale me Skopjen (barazim 0:0) në Shkup. Duke nisur nga e shtuna e ardhshme (7 prill), deri më 29 prill brenda 23 ditëve Shkëndija para vetes ka 7 përballje të rëndësishme. Seria e ngjeshur nis të shtunën me takimin e xhiros së 26-të të LPFM-së kur kuqezinjtë përballen me Renovën. Katër ditë më vonë (e mërkurë-11 prill) pason dueli me të njejtin kundërshtar, kësaj rradhe në kuadër të takimit të kthimit të gjysmëfinales së Kupës së Maqedonisë (ndeshja e parë përfundoi baraz 1:1).

Vijojnë ndeshjet kampionale çdo fundjavë-mesjavë kur fillimisht më 15 prill Shkëndija luan në Manastir me Pelisterin (e dielë-xhiroja e 27-të), ndërsa më 18 prill në Shkup është caktuar sfida kundër Vardarit (e mërkurë-xhiroja e 28-të). 22 prilli sjell takimin me Shkupin në Tetovë (e dielë-xhiroja e 29-të), para se më 25 prill të vijë transferta me Akademia Pandevin (e mërkurë-xhiroja e 30-të). Seria e ngjeshur gjatë muajit prill mbyllet më 29 prill (e dielë) me sfidën e xhiros së 31-të, Pobeda-Shkëndija.
Këto 23 ditë rraskapitëse do të jenë të rëndësisë kapitale për të përcaktuar sezonin 2017/2018 të Shkëndijës, kur brenda kësaj periudhe mund të sigurohet titulli i kampionit, ndërsa gjithashtu kërkohet edhe kualifikimi në finale të Kupës.