Shkëndija sot shënoi fitore ndaj ekipit slloven të Mariborit në ndeshjen e dytë miqësore në kuadër të stërvitjeve që po zhvillohen në Slloveni. Autor i golit të vetëm të ndeshjes ishte Sabit Bilalli që dërgoi topin në rrjetë pas një solo aksioni të bukur. Ngjashëm si në ndeshjen e parë kontrolluese, trajneri Artim Shaqiri inkuadroi në lojë të gjithë lojtarët të cilët i kishte në dispozicion. Pjesa e parë u karakterizua me lojë të hapur nga të dyja skuadrat, por me kuqezinjtë që kishin më shumë raste shënimi. Në pjesën e dytë trajnerët e të dyja skuadrave inkuadruan në lojë të gjithë lojtarët të cilët i kishin në dispozicion. Edhe në pjesën e dytë ishin kuqezinjtë ata që u shfaqën më kërcënues ndaj portës kundërshtare.
Formacioni:
Shkëndija e filloi ndeshjen me formacionin me rreshtimin 4-2-3-1, me Nafiun, Hasanin e Dorievin në pozitën e mesfushorëve ofensivë, dhe me Gurin në krye të sulmit. Ndërkaq në repartin e mbrojtjes si titullar u paraqit i riu Leard Sadriu.
XI: Zahov, Neziri-Bejtullai-Sadriu-Manevski, F. Ramadani-Dita,Nafiu-Hasani(c)-Doriev, Guri.
Përmbledhje:
Pjesa e parë u karakterizua me lojë të hapur nga të dyja skuadrat, por me kuqezinjtë që kishin më shumë raste shënimi. Rastin e parë për gol kuqezinjtë e patën që në minutën e pestë, kur Dorievi pasi shfrytëzoi një gabim të mbrojtjes së sllovenëve, krijoi hapësirë dhe qëlloi në drejtim të portës, por goditja e tij u bllokua nga mbrojtja kundërshtare (5’).
Hasani gjuan nga goditja e lirë, topi shkon ngjitur me shtyllën (12’).
Përsëri Hasani nga goditja e lirë, por këtë radhë topi ndalet në mur (24’).
Guri me një pasim maestral gjeti Dorievin brenda zonës por portieri mbrojti goditjen e këtij të fundit (36’).
HT: Shkëndija 0:0 Maribor
Në pjesën e dytë trajnerët e të dyja skuadrave inkuadruan në lojë të gjithë lojtarët të cilët i kishin në dispozicion. Pjesa e dytë ishte e barabartë por me kuqezinjtë që u shfaqën më kërcënues ndaj portës kundërshtare.
Florent Ramadani nëpërmjet një solo aksioni depërton në zonë, pason deri te Guri që tenton të befasojë portierin por topi nuk shkon në rrjetë (53’).
Goditje e lirë për kuqezinjtë, Hasani pason deri te Nafiu që gjuan në drejtim të portës por goditja e tij shkon jashtë (59’).
Aksion i shpejtë i kuqezinjve, Reshat Ramadani godet fuqishëm tokazi nga distanca, topi kalon shumë pranë shtyllës (84’).
Kalon Shkëndija në epërsi nëpërmjet Bilallit i cili pasi pranoi një top në thellësi, u lirua nga mbrojtja kundërshtare, gjuajti fuqishëm në këndin e poshtëm të djathtë dhe topi fillimisht u ndal në shtyllë e më pas përfundoi në rrjetë (86’).
Bejtullai godet fuqishëm nga goditja e lirë por portieri me majat e gishtërinjve e nxjerr topin jashtë (91’).
FT: Shkëndija 1:0 Maribor
Golashënues: Bilalli 86’.
SHKËNDIJA: Zahov, Neziri-Bejtullai-Sadriu-Manevski, F. Ramadani-Dita,Nafiu-Hasani(c)-Doriev, Guri.
Luajtën edhe: Taleski, Cake, Bilalli, Shala, Rakipi, R. Ramadani, Elezi, Nazifi.
Trajner: Artim Shaqiri.