Miqësoria Wil-Shkëndija rezultoi në festë për diasporën në Zvicër e rrethinë, me kuqezinjtë që fituan me shifrat 3:1.
WIL – SHKËNDIJA 1:3 (0:1)
Stadiumi “Lidl Arena” në Wil – Zvicër
Golashënues: Brahimi 54’ (Wil), ndërsa Velija 27’, Totre (pen) 88’ dhe Krasniqi 90’ (Shkëndija)
SHKËNDIJA: Zahov, Limani, Totre (c), Elezi, Aganspahiç, Dita, Velija, Meliqi, Jakupi, Nuhija, Adili.
Luajtën edhe: Taleski, Cake, Çinari, Qaka, Krasniqi dhe Ramani.
Trajner: Ardian Nuhiu
Festë kuqezi në mes të Zvicrës për Shkëndijën që pritet jashtëzakonisht ngrohtë nga diaspora në miqësoren me FC Wil. Mijëra shqiptarë nga gjitha vendet e Zvicrës dhe jo vetëm, pushtuan pasditën e të shtunës tribunat e stadiumit “Lidl Arena” të Wilit duke treguar unitet të pashoq kombëtar e që sipas informacioneve të vendasve është thyer bindshëm rekordi i biletave të shitura për një ndeshje të luajtur në këtë stadium.
Eventi përmbajti në vete program kulturo-artistik dhe sportiv, ndërsa në ngjarjen kryesore Shkëndija menaxhoi të fitojë me shifrat 3:1.
Rezultatin e hapëm në minutën e 27-të kur Bashkim Velija zhvillon aksion individual dhe me një të djathtë precize nga jashta zonës realizon për 1:0, rezultat me të cilin u mbyll pjesa e parë. Interesant ishte momenti kur goli i Shkëndijës çoi në këmbë gjithë stadiumin edhe pse kuqezinjtë ishin ekip mysafir.
Në fillim të pjesës së dytë vendasit arrijnë të barazojnë dhe që kjo festë të jetë komplet shqiptare u përkujdes Mërgim Brahimi që realizoi gol për Wil-in për 1:1. Shkëndija vazhdoi dominimin, trajneri Nuhiu inkuadroi në lojë lojtarë si Çinari, Krasniqi, Qaka e Cake dhe dominimi ishte për kuqezinjtë. Ndryshim nuk pati deri në minutën e 88-të kur Totre sjell avantazh 2:1 me gol nga penaltia. Paraprakisht Shkëndija zhvilloi super aksion me Caken dhe Çinarin, derisa Elezi u ndal me faul në zonë.
Elezi vazhdoi të faulohet para zonës vendase dhe në minutën e 90-të fitoi një faul, derisa gjithë atmosfera në tribuna meritonte të shihte edhe një perlë e për të cilën u përkujdes Endrit Krasniqi që me super goditje nga gjuajtja e lirë rrumbullakson festën në Zvicër për fitore 3:1.
Ndeshja u mbyll por jo edhe festa e shoqërimi, me lojtarët që bënin pafund fotografi me tifozerinë tonë në diasporë e që manifestuan gjithë dashurinë për ekipin kuqezi.