Kuqezinjtë kthehen me tre pikë nga Strumica dhe regjistrojnë fitoren e dytë radhazi në kampionat, pasi triumfuan ndaj Akademia Pandevit me rezultatin 0:1 në ndeshjen derbi të xhiros së tretë të LPFMV-së.
Shkëndija zhvilloi një lojë bindëse, me posedim të plotë të topit, me aksione të bukura dhe të njëpasnjëshme, duke mos u lejuar vendësve në asnjë moment të kërcënojnë më seriozisht portën e Zahovit.
Autor i golit të vetëm të ndeshjes ishte Adenis Shala kur në minutën e 76-të pas një super krosimi të Dorievit nga krahu i majtë me kokë dërgoi topin në rrjetë duke e shtangur portierin Jovanovski.
Formacioni:
Shkëndija e filloi ndeshjen me formacionin me rreshtimin 4-2-3-1, me treshen ofensive Doriev,Hasani e Vagner dhe me të riun Elezi në krye të sulmit.
XI: Zahov, Murati-Cake-Bejtullai-Velija, Bilalli-Dita,Vagner-Doriev-Hasani (c),Elezi.
Përmbledhje:
Kundërzbritje e kuqezinjve, Doriev e gjen Elezin brenda zonës kundërshtare, por Elezi me goditjen e tij nuk arrin të dërgojë topin në rrjetë (12’).
Doriev shërbehet me një pasim nga Hasani, godet fuqishëm por goditja shkon mbi kuadrat (16’).
Hasani shërbehet me një top nga rivënia anësore, futet në 16-metërsh dhe në vend se të qëllojë në drejtim të portës zgjedh të kombinojë me Vagnerin që nuk reagon siç duhet dhe vendësit evitojnë rrezikun (22’).
Hasani lëshon një goditje të fortë për tokë, por topi ndalet në shtyllën vertikale (30’).
Pasime të dyfishta të Ditës me Bilallin, gjuan Dita me të majtën por gjuajtja bllokohet nga mbrojtja e vendësve (33’).
HT: Akademia Pandev 0:0 Shkëndija
Me fillimin e pjesës së dytë, Stojanovski inkuadrohet në lojë në vend të Vagnerit.
Hasani lëshon një goditje por topi shkon mbi portë (48’).
Elezi me finte e gjen Hasanin që menjëherë gjuan por gjuajtja e tij bllokohet nga mbrojtja e ngjeshur e Akademia Pandevit (55’).
Aksion i bukur i Hasanit me Dorievin dhe Stojanovskin, por goditja e këtij të fundit ishte e lehtë dhe qendrore (55’).
Në minutën e 65-të largohen nga loja Elezi dhe Bilalli dhe në vend të tyre në lojë inkuadrohen Shala dhe Florent Ramadani.
Stojanovski për mrekulli e gjen Hasanin brenda zonës të vetmuar me portierin, por Hasani nuk arrin të dërgojë topin në rrjetë (68’).
Shënon Shkëndija. Aksion i shpejtë i kuqezinjve nga krahu i majtë, Doriev bën një super krosim në shtyllën e dytë nga krahu i majtë, aty gjendet Shala që me kokë dërgon topin në rrjetë duke e shtangur portierin Jovanovski (76’).
Florent Ramadani kombinon me Dorievin por gjuajtja e tij bllokohet nga lojtarët mbrojtës të vendësve (83’).
Në minutën e 84-të Velija ia lëshon vendin Nezirit, ndërkaq në minutën e fundit të ndeshjes edhe Hasani largohet nga loja e në vend të tij inkuadrohet Reshat Ramadani.
FT: Akademia Pandev 0:1 Shkëndija
Stadiumi “Mlladost” në Strumicë.
Golashënues: Shala 76’.
SHKËNDIJA: Zahov, Murati, Cake, Bejtullai, Velija (Neziri 84’), Bilalli (F. Ramadani 65’), Dita, Vagner (Stojanovski 46’), Doriev, Hasani (R. Ramadani 90+4’), Elezi (Shala 65’).
Trajner: Artim Shaqiri.