Krasniqi e Maksimov humbin ndeshjen e radhës

No image

Kartonat e verdhë në ndeshjen me Rabotniçkin ishin të pestët për dy futbollistë kuqezi, që automatikisht nënkuptohet pezullim me një ndeshje. Qaka në dyshim shkaku i lëndimit. 

Shkëndija të dielën në Shkup do jetë mysafire e Shkupit në duelin e xhiros së 17-të në elitën e futbollit vendor. Kuqezinjtë në këtë takim shkojnë në ndarje të pozitës së parë me të njejtin rival dhe sfida vlerësohet për vazhdimësi edhe pse sezoni është i gjatë dhe akoma s’jemi në mes të kampanjës.

Shkëndija veç më ka nisur të punojë për sfidën në Çair, ekipi me pozitivitet shikon duelin me Shkupin, por kuqezinjtë në këtë transfertë do të jenë pa dy futbollistë. Endrit Krasniqi dhe Metodi Maksimov humbin përballjen e xhiros së 17-të për arsye pezullimi. Të dy u ndëshkuan me kartona të verdhë të mërkurën ndaj Rabotniçkit (fitore 2:0), duke kompletuar nga 5 ndëshkime këtë sezon. Ky është kufiri disiplinor që sjell automatikisht pezullim prej një ndeshje, kështu që të dy nuk do të jenë në dispozicion të dielën. Ndërkohë në dyshim është Kamer Qaka. Mesfushori mori një goditje në këmbë të mërkurën, duke u detyruar para kohe të lëshonte takimin me Rabotniçkin, derisa ekipi mjekësor është në “garë” me kohën në përpjekjet për ta aftësuar Qakën për lojë.