Kuqezinjtë kanë zhvilluar testin e parë prej fillimit të fazës përgatitore, pasi ishim mysafirë të Prishtinës. Dueli vëllazëror u mbyll me rezultat 2:0 për vendasit. Për herë të parë me fanellën kuqezi luajtën aktivizimet e fundit Bilalli e Timovski.
Ndeshja solli dy ekipe që kërkonin të imponojnë lojën e tyre, por njëkohësisht ishte shumë e qartë se futbollistët e dy skuadrave kishin këmbët e rënda, që është krejtësisht e natyrshme duke pasur parasysh se skuadrat gjenden në fazën e hershme të përgatitjeve verore. Në pjesën e parë pamë një Prishtinë që kërkonte të dominojë, por kuqezinjtë ishin të karrikuar mirë, madje kishin mundësitë më serioze për gol. Gjuajtja e lirë e Alimit u ndal në shtyllën e portës vendase, ndërsa më vonë Nafiu kaloi portierin Nika, por Bardhoku shpëtoi në moment të fundit. Në anën tjetër vendasit kryesisht u kanosën me harkime para portës, por tre tentimet me kokë nuk ishin kërcnim për Zahovin.
Pjesa e dytë filloi me një Shkëndijë më ofanzive, por pa rezultat. Më pas trajneri Gjoka zëvendësoi gjithë ekipin, përjashtuar Alimin që ishte futbollisti i vetëm që vijoi ndeshjen deri në fund. Mes shumë zëvendësimeve për herë të parë me fanellën kuqezi debutuan edhe dy aktivizimet e fundit Sabit Bilalli dhe Angelçe Timovski.
Hoti nuk mundi të mposhtë Rexhepin që kontrolloi lehtë goditjen e tij, ndërsa pak më vonë sërish portieri Rexhepi kontrolloi një tentim qendror të vendasve. Ndryshimi erdhi në minutën e 71-të kur Mici harkon bukur, ndërsa me kokë Shabani shënon për 1:0. Vetëm një minutë më vonë i njejti lojtar sjell tjetër përfundim të saktë dhe vendasit kalojnë në epërsi 2:0. Deri në fund nuk pati ndryshim, rezultati doli pozitiv për vendasit, por ajo që ishte më me rëndësi se trajnerët Zekirija Ramadani (Prishtina) dhe Ernest Gjoka (Shkëndija) zhvilluan testin e parë prej fillimit të përgatitjeve para paraqitjes së dy ekipeve kampione në eliminatoret e UEFA Champions League (Prishtina luan në grupin para-eliminator).
PRISHTINA-SHKËNDIJA 2:0 (0:0)
Stadiumi “Fadil Vokrri” në Prishtinë
Golashënues: Shabani 71’ dhe 72’ (Prishtina)
SHKËNDIJA: Zahov, Murati (c), Krivak, Neziri, Paviç, Alimi, Zejnullai, Nafiu, Qaka, Doriev, Ibraimi.
Luajtën edhe: Rexhepi, Neziri, Bilalli, Oktay, Timovski, Elezi, Ramadani, Da Silva, Hebaj, Sadriu.
Trajner: Ernest Gjoka