Derbi i xhiros së 27-të ndërmjet Vardarit dhe Shkëndijës ka sjellë barazim 1:1, duke lënë pretedentët për titull në distancë të njëjtë. Shkëndija dominoi, por pa veten në disavantazh pas golit të Felipes, ndërsa barazoi Alimi. Pas një jave pason duel tjetër ndërmjet këtyre dy skuadrave sërish në stadiumin ‘Filipi i Dytë’ në Shkup. Sulmohet kryesia e Shkëndijës, që lëshon stadiumin për shkaqe sigurie.
Skuadra e Vardarit ka shpëtuar ‘lëkurën’ përballë Shkëndijës dominuese në stadiumin ‘Filipi i Dytë’, duke ndalë djemtë e trajnerit Akrapoviq me barazim 1:1. Shkëndija qëndroi besnike e përcaktimit për të fituar, dominoi dhe krijoi raste shënimi, mirëpo vetëm mungesa e fatit sportiv ka shpëtuar Vardarin nga disfata e merituar. Ndeshja nisi me sulme të Shkëndijës, që kanosej kryesisht me goditje nga distanca përmes Besart Ibraimit dhe Stenio Zhunior. Minuta e 19-të sjell aksion të përkryer të Shkëndijës, mirëpo goditja e Zhuniorit ndalet në shtyllën e majtë të portës kundërshtare. Vardari nuk dinte si të sulmojë përballë Shkëndijës së organizuar, ndërsa avansoi në minutën e 34-t kur Felipe shënon për epërsi 1:0 të vendasve. Shkëndija nuk u hamend pas golit të pranuar dhe vazhdoi me lojën e njëjtë sulmuese, ndërsa përgjigja erdhi në minutën e 39-të kur Alimi vjedh një top dhe me goditje të bukur shënon për barazim 1:1. Goli i pranuar i egërsoi edhe më shumë vendasit, që sulmuan kryesinë e Shkëndijës në ‘VIP Lozhën’ e improvizuar në tribunën e njëjtë ku gjendeshin tifozët vendas ‘Komitët’. Si pasojë mbetën të lënduar disa anëtarë të kryesisë së Shkëndijës, të cilët për shkaqe sigurie lëshuan stadiumin. Në pjesën e dytë Shkëndija vazhdoi të sulmojë në kërkim të fitores, ndërsa Vardari mbrohej me gjithë forcat. Ibraimi dhe Alimi kishin kanosjet e para në vazhdim, ndërsa vendasit arrinin të shpëtojnë falë fatit sportiv. Ibraimi vazhdoi të jetë kanosja më e madhe për vendasit me ‘predhat’ e tij, mirëpo shpëtonte vazhdimisht porta e Gaçevskit. Në minutën e 69-të përfundimisht pak fat për Shkëndijën, kur goditja e Çeranit ndalet në traversën e Zahovit. Deri në fund ndeshja shkoi me sulme të Shkëndijës dhe një Vardar të tërhequr që mbrohej me gjithë forcat dhe arriti të mbrohet, kur ndeshja pas dy minutave kohë shtesë përfundoi me ndarje të pikëve pranë barazimit 1:1. Vardari ishte më i gëzuar me pikën e fituar, pasi kësaj here arriti të shmang disfatën, mirëpo do të duhet të zhvillojë edhe 90-të minuta tjerë përballë Shkëndijës të dielën e ardhshme në xhiron e dytë të play-offit.
VARDARI-SHKËNDIJA 1:1 (1:1)
Stadiumi ‘Filipi i Dytë’ në Shkup
Shikues: 3 500
Arbitër: Dejan Jakimovski
Arbitra anësorë: Dejan Kostadinov dhe Goce Petrevski
Arbitra shtesë: Dimitar Meçkarovski dhe Nikola Kostençev
Delegat: Jovanço Pileshkov
Golashënues: Felipe 34’ (Vardari), ndërsa Alimi 39’ (Shkëndija)
Kartona të verdhë: Alimi, Demiri, (Shkëndija)
Karton i kuq: /
VARDARI: Gaçevski, Popov, Grnçarov, Dashjan (Grozdanovski 64’), Gligorov, Çeran (Ivanovski 80’), Nikolov (Spirovski 55’), Felipe, Brdarovski, Kojasheviq.
Trajner: Goce Sedlovski
SHKËNDIJA: Zahov, Bejtullai, Alimi (Nexhipi 78’), Cuculi, Ibraimi, Radeski (Asani 90’), Zhunior, Demiri, Merajiq (Pollozhani 60’), Todorovski, Vujçiq.
Trajner: Bruno Akrapoviq