Zhunior, Ibraimi dhe Alimi shënuan tre herë për tre pikë të reja të Shkëndijës, ndërsa Rabotniçki realizoi me Najdenov. Siljanovski u ndëshkua me të kuq pasi goditi pa top Zhuniorin, ndërsa publiku me ovacione përshëndeti triumfin e ri të ‘kuqezinjëve’.
Vazhdon seria e ndeshjeve pozitive të futbollistëve ‘kuqezi’ që koleksionojnë fitoren e rradhës, duke mundur 3:1 Rabotniçkin në ndeshjen e xhiros së 28-të të LPFM-së, apo të parën të fazës së play-offit. Ndoshta me vështirësi, por gjithsesi me plot meritë djemtë ‘kuqezi’ morrën tre pikë të reja, në një ndeshje të hapur mirë, por që solli në pah edhe lodhjen e futbollistëve nga rritmi i ngjeshur i angazhimeve kampionale. Shkëndija hapi shumë mirë takimin, kur avansoi që në minutën e 3-të me anë të brazilianit Zhunior, i cili ndoqi mirë topin në shtyllën e dytë pas harkimit nga rivënia këndore. Epërsia e hershme i dha ekipit qetësi në administrimin e lojës, duke krijuar edhe raste të tjera shënimi, mirëpo që mbvetën të parealizuara. Në pjesën e dytë Shkëndija nisi me sulme të vazhdueshme për të zgjidhur fatin e takimit, ndërsa në qendër të vëmendjes dy herë ishte Radeski që kishte mundësi të mira, mirëpo Shishkovski shpëtoi mrekullisht në dy raste, njëjtë si më vonë në tentimin e Alimit. Në minutën e 52-të Ibraimi ndalet me faul në zonë dhe fiton penalti, të cilën vetë një minutë më vonë e konverton në gol për 2:0. Disa minuta më vonë Rabotniçki mbeti me 10-të futbollistë në fushë pasi Siljanovski krejtësisht në mënyrë jokorekte godet pa top Zhuniorin dhe përcillet para kohe për në dhomat e zhveshjes. Këtu Shkëndija pa nevojë sikur uli tempon dhe kundërshtari e shfrytëzoi këtë në minutën e 63-të kur me anë të Najdenovit zbutën rezultatin në 2:1. Shkëndija nuk mund të lejonte të hynte në fazën e fundit të takimit me pasiguri në rezultat dhe pas disa rasteve të humbura në minutën e 85-të Zhunior bukur asiston drejt Alimit, i cili pasi shmang pozicionin jashtëloje kalon edhe portierin dhe përcjell topin në rrjetë për 3:1 dhe vulë të fitores. Shkëndija kthehet kështu në rrugën e triumfit pas barazimit 1:1 të dileën e shkuar me Vardarin në Shkup, ndërsa këtë të dielë ka në program ndeshje tjetër të rëndësishme me konkurentin kryesor për titullin e kampionit.
SHKËNDIJA-RABOTNIÇKI 3:1 (1:0)
Stadiumi i qytetit në Tetovë
Shikues: 6 000
Arbitër: Aleksandar Stavrev
Arbitra anësorë: Marjan Kirovski dhe Dejan Kostadinov
Arbitra shtesë: Faton Mustafi dhe Josip Barton
Delegat: Xhevdet Dalipi
Golashënsues: Zhunior 3’, Ibraimi 53’ pen. dhe Alimi 85’ (Shkëndija), ndërsa Najdenov 63’ (Rabotniçki)
Kartona të verdhë: Zhunior dhe Pollozhani (Shkëndija), ndërsa Najdenov (Rabotniçki)
Karton i kuq: Siljanovski 55’ (Rabotniçki)
SHKËNDIJA: Zahov, Bejtullai (Pollozhani 58’), Alimi, Cuculi, Ibraimi (Totre 87’), Radeski Rech 80’), Zhunior, Demiri, Merajiq, Todorovski, Vujçiq.
Trajner: Bruno Akrapoviq
RABOTNIÇKI: Shishkovski, Najdovski, Najdenov, Siljanovski, Petroviq, Elmas (Manevski 82’), Galiq (Jovanovski 75’), Altiparmakovski (Ristovski 88’), Trajçevski, Cikarski, Ilievski.
Trajner: Tomisllav Franc
Leave us a reply