PREVIEW | Shkëndija vs Renova

Kuqezinjtë të shtunën përballë Renovës kërkojnë të rigjejnë fitoren në kampionat, për të shkuar me triumf në pauzën dy javore shkaku i ndeshjeve të ekipeve përfaqësuese.

Pasi në mesjavë në mënyrë rutinore bënë detyrën në Kupën e Maqedonisë (skuadra fitoi 5:0 Kit Go në takimin e kthimit të 1/8 së finales dhe u kualifikua në çerekfinale e rezultat të përgjithshëm 7:0), futbollistëe e Shkëndijës kërkojnë sukses edhe në kampionat ku xhiroja e nëntë në Ligën e Parë të futbollit të Maqedonisë sjell përballje me Renovën. Trajneri Osmani në mesjavë kishte mundësi të luajë me formacion të kombinuar dhe tani skuadra duket e gatshme për të sulmuar tre pikët dhe fitoren që mungon prej dy ndeshjesh në kampionat. Të shtunën ekipi kërkon të kthehet në nivelin e pritur, për të treguar se minikriza që solli humbje nga Pobeda dhe barazim me Akademia Pandevin tashmë është e kaluar.

Të rejat në skuadër

Skuadra është e kompletuar dhe e pushuar për këtë ndeshje me pjesën më të madhe të futbollistëve standardë që nuk u angazhuan në mesjavë. Mungesa e vetme është Konstantin Çeshmexhiev i cili të mërkurën kundër Kit-Go lëndoi shpatullën dhe për momentin mbetet jashta kombinimit.

 

Kundërshtari

Edhe pse skuadrat janë me ambicie të ndryshme dhe renditja gjithashtu kuqezinjtë i vendos më lartë, megjithatë në këtë ndeshje me seri pozitive në kampionat vjen Renova. Nëse Shkëndija nuk fiton në dy përballjet e fundit kampionale, xhepçishtasit në të njejtën kohë i kanë dhënë fund krizës dhe kanë fituar takimet me Akademia Pandevin në transfertë dhe Shkupin si vendas. Bardhekaltërtit sezonin e hapën me fitore 4:3 në fushë të Rabotniçkit, mirëpo më pas hynë në krizë kur u eliminuan nga Kupa e Maqedonisë nga Tikveshi i Kavadarit, ndërsa në kampionat në pesë ndeshje morrën vetëm një barazim dhe katër herë dolën të mundur. Kjo bëri të largohet trajneri Jeton Beqiri, ndërsa ekipi për momentin nuk ka emëruar pasardhës së tij dhe udhëhiqet nga drejtorët sportiv.
Kuqezinjtë nuk munden nga rivali lokal në 14-të duelet e fundit, prej të cilave 12-të janë në kampionat dhe dy në Kupën e Maqedonisë. Për herë të fundit Renova ka fituar 1:0 në prill të vitit 2015 dhe prej atëherë ekipi nga Xhepçishti nuk njeh fitoren. Gjatë kësaj periudhe pesë ndeshje janë mbyllur baraz, ndërsa Shkëndija ka shënuar 9-të fitore.  Sezonin e kaluar rivalët lokal zhvilluan gjashtë përballje, pasi përveç katër dueleve kampionale (katër fitore të Shkëndijës me rezultat 2:0, 6:1, 5:0 dhe 3:0) u ndeshën edhe në gjysmëfinale të Kupës ku pas barazimit 1:1 në takimin e parë, Shkëndija siguroi finalen (triumf 2:0) dhe më vonë edhe trofeun e Kupës.

Takimi Shkëndija-Renova luhet të shtunën në stadiumin e qytetit në Tetovë me fillim në orën 15:00.

➡️ MaYa.mk
Share Now

Related Post