Press para startit të gjysmësezonit pranveror

Kuqezinjtë të gatshëm dhe me optimizëm presin përballjen e parë zyrtare të vitit 2018, kur të mërkurën në kuadër të xhiros së 19-të të LPFM-së në Tetovë përballen me Vardarin. Trajneri Osmani dhe kapiteni Hasani para mediave reflektuan optimizëm në luftën për titujt e kampionit.

Një ditë para startit të garave në gjysmësezonin pranveror të LPFM-së, trajneri i Shkëndijës, Qatip Osmani dhe kapiteni, Ferhan Hasani në takim me mediat janë shprehur të gatshëm për sfidat që e presin ekipin në vazhdim të kampionatit. Optimizmi bazohet në punën që është bërë gjatë kësaj periudhe, potencialin e ekipit, formën që ka treguar skuadra në ndeshjet kontrolluese dhe atmosferën pozitive që pritet të bart ekipin drejt sukseseve të reja të cilat do të trasojnë rrugën drejt titullit të kampionit.

“Përgatitjet cilësore dhe epërsia në pikë na jep shpresë për të besuar se titulli do të jetë i Shkëndijës. Fati apo fatkeqësia jonë ishte që ndeshjen e parë ta luajmë me Vardarin dhe ne do dalim të japim më të mirën për të fituar ndeshjen“, u shpreh mes tjerash shefi i stafit teknik, Qatip Osmani.

Ndërkohë për kapitenin Hasani me rëndësi është që brenda grupit të futbollistëve të ruhet qetësia dhe harmonia, pasi kjo skuadër ka dëshmuar se pa eufori është e gatshme për rezultate të mëdha.

“Favorit nuk kemi qenë vitet e kaluara kur dihen shumë rethana që na kanë përcjellur. Favorit jemi këtë vit dhe ne do dalim ta dëshmojmë këtë në fushë si që e kemi bërë deri tani këtë sezon. Ndeshja e parë është si krejt tjerat dhe ne pa eufori hyjmë të bëjmë punën tonë që është fitorja“, tha kapiteni, Ferhan Hasani.

Duke u përgjigjur pyetjeve të gazetarëve të pranishëm Osmani dhe Hasani kanë potencuar se mbështetja nga publiku do të jetë e rëndësisë kapitale në çdo sfidë pranverore dhe për këtë arsye presin përkrahje që nga takimi i parë me Vardarin që do të zhvillohet të mërkurën në Tetovë me fillim në orën 14:00.

Share Now

Related Post