Shkëndija fiton 1:3 transfertën me Sileksin në Kratovë. Hasani, Bojku dhe Wakili shënuan golat për fitoren e 26-të sezonale.

Vazhdon seria e fitoreve të Shkëndijës në duelet me Sileksin, ndaj të cilëve djemtë e Osmanit marrin fitoren e katërt në po aq ndeshje të këtij sezoni. Pa Ibraimin e lënë të pushojë dhe Eminin e lënduar, më i avansuar në sulm pas Hasanit ishte vendosur Alimi, në krahë standard operonin Junior e Radeski, ndërsa qendra e mesfushës kontrollohej nga Fazllagiç e Bojku. Shkëndija nisi furishëm në sulm dhe pa kaluar një minutë Hasani solli kanosjen e parë, me topin që shkoi pranë portës. Ky ishte paralajmërim i epërsisë hershme që do të vinte pas një kryevepre të Hasanit në minutën e katërt. Kapiteni pranon topin brenda zonës dhe me parabolë të bukur mund portierin vendas për zhbllokim të rezultatit (0:1). Kuqezinjtë që këtë ndeshje luanin me fanella të bardha vendosën dominim të plotë në terren dhe me disa aksione të bukura disa herë shkuan fare pranë golit të dytë. Radeski humbi dy mundësi shumë të mira për 0:2, pas çka pasoi rënie në lojën e Shkëndijës dhe vendasit morrën kontrollin dhe disa herë u kanosën rrezikshëm. Gligor Gligorov në dy raste tentoi portën, mirëpo me pritje shumë të mira përgjigjet portieri Bekim Rexhepi. Kur vendasit lëshuan mundësi të barazojnë, djemtë e trajnerit Osmani rimorrën kontrollin e lojës, ndërsa një minutë para pushimit Besmir Bojku me goditje precize nga jashtë zonës çon rezultatin në 0:2. Fillimi i pjesës së dytë solli nga një kanosje prej të dyja skuadrave, mirëpo Rexhepi ndali goditjen e Gligorovit, ndërsa Fazllagiç nuk gjeti portën. Shkëndija shpejt imponoi lojën e saj dhe në minutën e 55-të pas një aksioni të saktë të Juniorit dhe Alimit, nigeriani Alma Abbo Wakili gjen golin e parë për avantazh 0:3. Këtu u duk se mbaroi historia e kësaj ndeshje, por dy episode mundësuan rrikthim të emocioneve. Fillimisht në minutën e 64-t pas një pakujdesie në mbrojtje, Bllagojeviç shënon për 1:3, ndërsa në minutën e 68-të Shkëndija mbeti me 10-të lojtarë në terren pas kartonit të kuq të portierit Rexhepi që u përjashtua nga loja pas vlerësimit të arbitrave për lojë me dorë jashta zonës. Këtu vendasit fituan motiv për të shpresuar të shmangin humbjen, mirëpo mbrojtja e Shkëndijës mbulonte në kohë, ndërsa siguri në portë shfaqte portieri Zahov që u inkuadrua në lojë në vend të Alimit. Në fund tre pikët shkuan në konton e Shkëndijës që distancohet në 29-të pikë nga vendi i dytë, ndërsa koleksionon fitoren e 26-të sezonale.

SILEKSI-SHKËNDIJA 1:3 (0:2)
Stadiumi i qytetit në Kratovë
Shikues:
300
Arbitër: Dimitar Meçkarovski
Arbitra anësorë: Dejan Nedelkovski dhe Goce Petrevski
Arbitra shtesë: Marjan Mlladenovski dhe Ivana Projkovska
Delegat: Sinisha Stojçevski
Golashënues: Bllagojeviç 64′ (Sileksi), ndërsa Hasani 4′, Bojku 44′ dhe Wakili 55′ (Shkëndija)
Kartona të verdhë: Timovski, B. Georgiev dhe Stojçevski (Sileksi), ndërsa Bojku dhe Bejtullai (Shkëndija)
Karton i kuq: Rexhepi 68′ (Shkëndija)
SILEKSI: Mitroviç, Bllagojeviç, Gucev, Stojçevski, Georgiev, Junior, F. Gligorov (Panovski 58′), G. Gligorov (Timov 58′), Timovski, Filipoviç, Bujçevski (Gjorgjeviç 58′).
Trajner: Zhikica Tasevski
SHKËNDIJA: Rexhepi, Wakili, Bejtullai, Alimi (Zahov 69′), Cuculi, Teqja, Fazllagiç, Hasani, Bojku, Junior (Shefiti 64′), Radeski (Adili 86′).
Trajner: Qatip Osmani

Share Now

Related Post