Shkëlqim dhe klas i kuqezinjëve në takimin e xhiros së 21 në Ligën e Parë të futbollit të Maqedonisë, duke mundur FC Shkupin me shifrat bindëse 5:1. Paraqitje fantastike për Omar Imerin që realizon hat-trikun e parë në karrierë, ndërsa në triumfin e lartë nga një super gol shtuan Armend Alimi dhe Agim Ibraimi. Shkëndija nisi furishëm takimin e vendosur për të treguar karakter kampioni dhe pas disa mundësive të humbura goli i epërsisë vjen në minutën e 20-të kur Imeri realizon me kokë pas harkimit të Musliut. Kuqezinjtë nuk u ndalën dhe nëntë minuta më vonë Alimi prodhon super goditje për epërsi 2:0. Rezultatin e pjesës së parë 3:0 e vendosi Imeri tre minuta para pauzës pas një aksioni model të kuqëzinjëve. Shkëndija vazhdoi me ritëm të njejtë edhe në të dytën dhe pas shtatë minutave Agim Ibraimi sjell golin e katërt. Përjashtimi i Bejtullait me karton të kuq nuk ndali hovin e djemve të Qatip Osmanit të cilët në minutën e 66-të gjejnë golin e pestë me Omar Imerin. Shkupi i dominuar në tërësi nga kuqezinjtë në fund gjeti golin e nderit me anë të Muharem Bajramit, që realizon bukur nga gjuajtja e lirë gjashtë minuta para fundit. Për Shkëndijën kjo ishte fitorja e 21-të sezonale dhe pesë xhiro para fundit epërsia para vendit të dytë shkon në 11-të pikë.
PJESA E PARË
Shkëndijë agresive që në start të ndeshjes dhe si pasojë vijnë dy mundësi në shtatë minutat e para. Fillimisht e djathta e devijuar e Alimit kontrollohet nga portieri mysafir Azizi, ndërsa pak më vonë tentimi i Imerit devijohet në këndore. Trafiku njëkahësh vazhdoi edhe më tej dhe në minutën e 16-të pas asistit të Alimit shfaqet mundësi për Nafiun që godet vetëm pjesën e jashtme të rrjetës. Vetëm dy minuta më vonë harkimi i Micit gjen në zonë Radeskin, mirëpo goditja e tij me kokë kontrollohet qetë nga Azizi. Dominimi i kuqezinjëve nuk mund të mos sillte rezultat dhe ndryshimi erdhi në minutën e 20-të kur Musliu harkon saktë në zonë, ndërsa goditja me kokë e Omar Imerit përplaset në shtyllë para se të përfundojë në rrjetën kundërshtare. Me epërsi 1:0 të Shkëndijës mysafirët vazhdonin të mos gjejnë mënyrë për të dalë përpara dhe një situatë të rrallë të tyre u shfaq mundësi për intervenim të saktë të Rexhepit që lëshoi në kohë portën duke mos lejuar rrezik. Shpejt loja morri fizionominë e minutave paraprake dhe pa u bërë gjysmë orë lojë Nafiu zhvillon aksion dhe shërben për Alimin që prodhon goditje fantastike për super gol dhe avantazh 2:0. Agim Ibraimi shkoi pranë golit kur lëshon një të majtë të bukur por shtylla e portës kundërshtare. Tre minuta para pauzës aksion model i kuqezinjëve me Ibraimin e Radeskin, ndërsa Omar Imeri gjen golin e dytë personal në këtë ndeshje për rezultat 3:0 në pjesën e parë.
PJESA E DYTË
Në vazhdim përkundër tentimeve të miqve për të sulmuar, kuqezinjtë nuk ndalën ritmin dhe shpejtë sollën golin e katërt. Goditja e lirë e A. Ibraimit ndalet në murin e gjallë, mirëpo Nafiu kthen topin për numrin ’10’ që godet ashpër për 4:0. Kuqezinjtë të motivuar nuk ulnin rritmin dhe në minutën e 65-të pas një dueli në zonën kundërshtare me karton të dytë të verdhë ndëshkohet Egzon Bejtullai që largohet nga loja me të kuq.
Inferioriteti numerik nuk ndikoi te kuqezinjtë që në minutën e 66-të gjetën golin e pestë. Gledi Mici lëviz bukur dhe asiston në shtyllë të dytë ku Imeri gjen golin e tretë personal për rezultat 5:0. Tentimi i Brojës mbi portë në minutën e 70-të flet për pamundësitë e miqve, ndërsa tetë minuta më vonë Zejnullai u gjet në mundësi por pa arritur të sjellë të gjashtin. Duhej të kalonin 82 minuta lojë për të parë goditjen e parë të mysafirëve në kornizën e portës me Brojën që nuk shqetëson Rexhepin. Në anën tjetër për pak sa nuk pamë një gol të rrallë kur Alimi provon nga gjysmëfusha e Shkëndijës, mirëpo topi për ironi kalon mbi traversë pas përplasjes në tokë. Shkupi gjeti golin gjashtë minuta para fundit kur Bajrami ekzekuton shkëlqyeshëm një goditje dënimi për rezultat 5:1. Në çastet e fundit të takimi Shefiti dhe Zejnullai ishin në mundësi shënimi, por mbrojtësit e Shkupit arrijnë të pastrojnë rezikun.
SHKËNDIJA-SHKUPI 5:1 (3:0)
Stadiumi i qytetit në Tetovë
Shikues: 2 500
Arbitër: Dejan Jakimovski
Golashënues: Imeri 20′, 42′ dhe 66′, Alimi 29′, A. Ibraimi 52′ (Shkëndija), ndërsa Bajrami 84’
Kartona të verdhë: Murati, Alimi, Mici, Radeski, Bejtullai 2 dhe Musliu (Shkëndija), ndërsa Ustabashi (Shkupi)
Karton i kuq: Bejtullai 65′ (Shkëndija)
SHKËNDIJA: Rexhepi, Murati, Musliu, Bejtullai, Mici, Totre, Alimi (c),, Nafiu (Shefiti 70′), A. Ibraimi, Radeski (Bojku 67′), Imeri (Zejnullai 76’).
Trajner: Qatip Osmani
SHKUPI: Azizi, Ristovski (Krivanjeva 57′), Bilalli, Bajrami (c), Ustabashi, Braxhi (Abdul 70′), Junior, Broja, Bazilio, Ismaili, Angelov (Muharem 54′).
Trajner: Umit Karan