Ndërpritet seria e Shkëndijës prej 7-të ndeshjeve pa disfatë pasi kuqezinjtë munden 2:1 nga Belasica në takimin e xhiros së 30-të në Ligën e Parë të futbollit të Maqedonisë. Takimi në Strumicë nisi keq për Shkëndijën që pa veten në negativë pas vetëm pesë minutave lojë, kur Georgiev shënon për 1:0. Kuqezinjtë imponuan dominim në terren dhe kërkonin përmbysje, mirëpo gjërat shkuan edhe më keq kur Bejtullai shënon autogol dhe Shkëndija u gjend para një misioni të pamundur. Hedhja në fushë e Juniorit dhe Micit sollën përforcim të sulmeve, por e gjitha që mundëm të bëjmë ishte goli i Shefiti për 2:1 që në fund rezultoi të jetë epilogu përfundimtar i takimit.
PJESA E PARË
Të parët nga qendra nisën vendasit, mirëpo kuqezinjtë sollën mundësinë e parë pa kaluar një minutë e plotë. Merxhani lëviz bukur dhe inspiron sulmin e Shkëndijës, ndërsa pas harkimit të Nafiut goditja e Fazli me kokë nuk gjeti kuadrantin. Në anën tjetër vendasit gjejnë epërsinë në sulmin e dytë. Rëmujë para portës kuqezi me Georgiev që realizon për 1:0. Tentojnë të përgjigjen kuqezinjtë me Eminin, mirëpo gjuajtja e mirë e tij shkoi mbi portë. Shkëndija vazhdoi të dominojë dhe në minutën e 22-të Totre prodhon depërtim të bukur në zonën kundërshtare por pa mundur të gjuajë brenda kuadrantit. Shkëndija vazhdoi të dominojë deri në fund të pjesës së parë, mirëpo rastin e vetëm më serioz e kishin vendasit kur Georgiev godet skaj portës nga një pozitë shumë ideale.
PJESA E DYTË
Negativa e pjesës së parë detyroi trajnerin Osmani të nisë me zëvendësim dhe inkuadrimi i Shefitit në vend të Berishës solli gjallëri në sulmet e kuqezinjëve. Fazli u gjet dy-tre herë në raste shënimi, mirëpo pa mundur të rezikojë. Gjërat u vështirësuan për Shkëndijën në minutën e 64-t kur Bejtullai duke dashur të kthejë topin prapa, parabolon portierin Rexhepi dhe u jep vendasve epërsi 2:0. Ky ishte sinjal i qartë për ndryshim dhe i natyrshëm ishte reagimi i stafit teknik që hodhi në fushë Juniorin dhe Micin, të planifikuar të pushojnë. Ndryshimi u ndje menjëherë pasi në minutën e 70-të Shefiti lëviz bukur në zonë dhe me një të majtë precize zbut shifrat në 2:1. Shtatë minuta më vonë Junior e Bojku zhvillojnë aksion të bukur, ndërsa goditja e Shefitit me kokë nuk ishte precize. Në anën tjetër Mirçevski u kanos rrezikshëm, me Rexhepin që përgjigjet me pritje të sigurtë. Deri në fund nuk pati ndryshim dhe pikët shkuan në konton e skuadrës vendase.
Opinioni i trajnerit
“Ashtu si në të kaluarën edhe sot kishim zotërimin e topit që e kërkojmë në çdo ndeshje, mirëpo për dallim nga takimet tjera sot na mungoi kreativiteti dhe ideja për të depërtuar drejt portës vendase. Pranuam gola me gabimet tona, i pari pas një pakujdesie në mbrojtje kur nuk bllokuam si duhet kundërshtarin, ndërsa i dyti autogol. E përsëris se na mungoi finalizimi dhe ai pasimi i fundit për të krijuar më shumë raste shënimi”, deklaroi trajneri Qatip Osmani pas ndeshjes me Belasicën.
BELASICA-SHKËNDIJA 2:1 (1:0)
Stadiumi ‘Mladost’ në Strumicë
Shikues: 1 000
Arbitër: Petar Mantev
Golashënues: Georgiev 5′ dhe Bejtullai 64′ a.g (Belasica), ndërsa Shefiti 70′ (Shkëndija)
Kartona të verdhë: Mitevski (Belasica), ndërsa Junior (Shkëndija)
BELASICA: Vujanac, Xhonov, Georgiev, Stojanov (Istatov 10′ (Mirçevski 59′)), Vujçiç, Mitevski, Stojkov, Drobarov, Serafimovski, Maslaq, Balldovaliev (Sulev 86′).
Trajner: Gjokica Haxhievski
SHKËNDIJA: Rexhepi, Bejtullai, Totre, Fazli, Bojku, Emini, Berisha (Shefiti 46′), Merxhani, Çeshmexhiev, Nafiu (Junior 67′), Todorovski (Mici 67′).
Trajner: Qatip Osmani