Xhiroja e tretë në LPFMV sjell barazim 1:1 për Shkëndijën që dështon të fitojë përballë Makedonija Gj. P.. miqtë avansuan të parët, ndërsa barazim solli mbrojtësi Egzon Bejtullai.
• Shkëndija barazon 1:1 duelin me Makedonija Gj.P.
• Pas epërsisë së miqve, Bejtullai shënoi golin e barazimit
• Karvaljo realizoi në goditjen e parë për Makedonija Gj.P.
• Kjo ishte pika e parë për kuqezinjtë në sezonin e ri
Kuqezinjtë nuk shkojnë përtej barazimit me Makedonija Gj.P. në kuadër të xhiros së tretë në elitën vendore. Me një rival të vendosur në mbrojtje dhe me një Shkëndijë që imperativ të vetëm kishte fitoren, ishte e pritur që kuqezinjtë të sulmojnë që në minutat e para. Omar Imeri solli emocionet e para në minutën e 10-të kur e djathta e tij e fortë devijohet në këndore. Kundërshtari tentoi të amortizojë lojën dhe arriti të zbuste presionin deri në minutën e 25-të, kur Shkëndija sikur ndroi shpejtësinë dhe për minuta të tërë ushtroi shtypje të madhe mbi kundërshtarin. Totre do të inspironte aksion të mirë në të majtë ku B. Ibraimi asistoi para portës paralel me vijën e pesëmetërshit, mirëpo Radeski e Imeri rëshqesin në situatë kur mundeshin vetëm të shtyjnë topin në rrjetën e zbrazur. Loja e bukur zgjoi publikun e pranishëm që filloi të mbështesë skuadrën, ndërsa futbollistët në terren sollën disa mundësi me B. Ibraimin e Zejnullain që fatkeqësisht nuk sollën rezultat. Ndëshkimi për rastet e humbura erdhi në anën tjetër kur rivali goditi në periudhën më të mirë të kuqezinjëve. Bozhinovski asiston për Karvaljon, i cili godet në rrotullim dhe topi ndalet në rrjetën e Zahovit për epërsi të mysafirëve. Shkëndija kërkoi të përgjigjet me Felipen, mirëpo shpëton me pritje vendimtare portieri Jovanovski. Ky i fundit nuk do të mund të bënte asgjë katër minuta para pauzës kur Felipe harkon para portës, ndërsa Bejtullai me kokë sjell simetri në rezultat, duke shënuar golin e parë të Shkëndijës në sezonin e ri. Deri në fund të fraksionit të parë kërkuam epërsinë dy herë me B. Ibraimin, mirëpo shpëton në të dyja rastet portieri Jovanovski.
Të pakënaqur me rezultatin pjesën e dytë e nisëm me inkuadrimin e Agim Ibraimit si përforcim për fazën sulmuese, bashkë me Junior që hyri në lojë pak më vonë. Përkundër dominimit në këtë periudhë mungonin rastet konkrete dhe më seriozisht i’u afruam golit në minutën e 58-të kur Jovanovski në dy raste shfaqet shpëtimtar i miqve. Fillimisht grushton tentimin me kokë të Radeskit pas harkimit të Muratit, ndërsa në vazhdim intervenon mirë edhe në plasimin e Zejnullait. Në vazhdim loja u vendos në pjesë kundërshtare, mirëpo kuqezinjtë asesi nuk arrinin të rezikojnë më seriozisht rivalin që ishte mbyllur dhe mbrohej me 10-të futbollistë. Në kushte të tilla goditjet nga jashta zonës ishin mundësi për gol, por Totre nuk gjeti kuadrantin, ndërsa Jovanovski kontrolloi pa problem të majtën e Felipes. Shansin e fundit për gol Shkëndija e kishte në minutën e 85-të kur pas harkimit nga këndi, tentimi i Bejtullait me gërshërë nuk gjeti portën. Në fund rezultati mbeti 1:1 dhe dy ekipet ndanë nga një pikë.
SHKËNDIJA-MAKEDONIJA GJ.P. 1:1 (1:1)
Stadiumi i qytetit në Tetovë
Shikues: 1 000
Arbitër: Dimitar Meçkarovski
Golashënues: Bejtullai 41′ (Shkëndija), ndërsa Karvaljo 38′ (Makedonija Gj.P.)
SHKËNDIJA: Zahov, Murati, Çeshmexhiev, Bejtullai, Mici, B. Ibraimi (c) (Junior 63′), Totre, Zejnullai (Shefiti 78′), Imeri (A. Ibraimi 46′), Felipe, Radeski.
Trajner: Qatip Osmani
MAKEDONIJA GJ.P.: Jovanovski, Fernando, Lima, Liçina, Bozhinovski (c), Pecov, Demir (Robson 74′), Vosha (Jasharkoski 89′), Adem, Emini, Karvaljo (Trajkovski 61′).
Trajner: Mario Vujoviq