Spektakël në tapetin e rinovuar të stadiumit të qytetit në Tetovë, në të cilin djemtë ‘kuqezi’ fitojnë 3:1 Renovën. Ibraimi nga pika e bardhë, si dhe Radeski e Asani shënojnë për Shkëndijën, ndërsa Renova realizon me Skenderin. ‘Ballistët’ të mrekullueshëm me disa koregorafi të shkëlqyeshme.
Mbi 9 000 spektatorë mbushën tribunat e stadiumit të qytetit në Tetovë në derbin lokal Shkëndija-Renova, duke treguar etjen e madhe nga mungesa njëvjeçare e futbollit elitar në qytetin universitar. ‘Kuqezinjtë’ fitojnë 3:1, duke lënë të kënaqur spektatorët, ndërsa arrijnë të ngushtojnë në dy pikë diferencën me liderin e renditjes. Ndeshja filloi me sulme të Shkëndijës që në minutën e 4-ët fiton penalti pas startit të Musliut ndaj Ibraimit. Sulmuesi i Shkëndijës egzekuton në mënyrë të përkryer goditjen nga pika e bardhë dhe me golin e tij të 22-të sezonal i jep ekipit epërsi 1:0, për delirium në tribuna. Pas epërsisë Shkëndija nuk u ndal dhe kërkonte vazhdimisht golin e dytë. Efremov në minutën e 15-të grushton goditjen e fortë të Ibraimit, pak më vonë pas harkimit nga këndi Alimi vonohet një pjesë të sekondës, ndërsa në anën tjetër dy kanosje të Renovës pastrohen me sukses, fillimisht kur Cuculi me kokë ndal goditjen e Skenderit nga gjuajta e lirë, ndërsa më vonë Zahov kontrollon tentimin me kokë të Mishkovskit. Në minutën e 32-të Zhunior përfiton nga një gabim në mbrojtjen kundërshtare dhe del në pozitë ideale për të shënuar, Efremov ndal tentimin e brazilianit, mirëpo topi dëbohet te Radeski që plason saktë për 2:0. Në pjesën e dytë Shkëndija vazhdoi të dominojë në teren, duke humbur raste të mira me anë të Radeskit, Bejtullait, Alimit dhe Xhufos. Gjithë këto u ndëshkuan në minutën e 82-të kur Skenderi pranon një asist të mirë në zonë dhe me mençuri realizon për 2:1. Futbollistët ‘kuqezi’ nuk dëshironin t’i lënë asgjë rastit dhe një minutë më vonë krijojnë aksion të mirë me Xhufon që asiston drejt Asanit, mirëpo anësori i ri godet skaj portës nga një pozitë ballore. Pak më vonë Ibraimi u gjet në shans të mirë, por godet mbi portë, ndërsa në minutën e 86-të përfundimisht vjen goli i qetësisë, me autor të riun Shpend Asani që realizon kur gjendet ballë ballë me portierin Efremov. Deri në fund Shkëndija humbi dy mundësi të mira për të sjellë golin e katërt, mirëpo rezultati 3:1 ishte i mjaftueshëm për të vazhduar serinë e 100% të fitoreve në pranverë dhe me gabimin e Vardarit të ngushtohet në dy pikë diferenca me kreun e tabelës.