Dy gola të vonshëm nga Armend Alimi dhe Besart Ibraimi sollën fitore 2:0 të Shkëndijës në duelin lokal përballë Renovës.
- Kuqezinjtë dalin me tre pikë nga derbi lokal me Renovën
- Super gol i Alimit dhe Ibraimi nga pika e bardhë për fitoren e rradhës
- Skuadra hyn në seri prej dy fitoreve të njëpasnjëshme
- Sfida e rradhës të dielën në Tetovë kundër Struga Trim Lum
Shkëndija mund Renovën me shifra 2:0 në derbin lokal të Tetovës në kuadër të xhiros së 6-të në Ligën e Parë të futbollit të Maqedonisë së Veriut. Alimi dhe Ibraimi në çastet e fundit sollën tre pikë të reja për kuqezinjtë, që me Erhan Selimin në pankinë fitojnë dy duelet e fundit me një goldiferencë prej 5 realizimeve dhe asnjë goli të pësuar. Takimi nisi me një mundësi për Renovën që pa Remzifaik Selmanin të vetmuar para portës, mirëpo goditja e tij ndalet nga Murati që bëri detyrën e portierit. Në anën tjetër Nafiu ndalet me faul në zonën kundërshtare, mirëpo befasisht arbitri nuk tregon në pikën e bardhë për Shkëndijën. Kuqezinjtë për pak nuk panë veten në disavantazh kur një kundërsulm i rivalit nxori në shans Sadikin i cili pasi kaloi edhe poriterin Zahov dhe kur pritej të shënojë ngatërohet me topin dhe godet jashta portës. Shkëndija u kthye të sulmojë dhe kishte kanosje me Alimin që godet me kokë mbi portë, para se më vonë Junior të inspirojë aksion të mirë por e djathta e tij nuk gjeti kuadrantin.
Pjesa e dytë nisi me dy raste të Marjan Radeskit, mirëpo me dy intervenime të shkëlqyeshme shfaqet portieri i Renovës, Velii. Në anën tjetër Zahov kontrollon tentimin e Kadriut. I pakënaqur me rezultatin trajneri Selimi hodhi në lojë edhe Besart Ibraimin dhe kanosja e parë e sulmuesit u kontrollua nga Velii. Felipe në minutën e 72-të nuk gjeti portën me të majtën e tij dhe ndeshja në fazën e fundit hyri me rezultatin e fillimit. Mirëpo kuqezinjtë nuk kishin thënë fjalën e fundit dhe insistimi dha rezultat në minutën e 87-të kur Alimi luan një pasim të dyfishtë me B. Ibraimin, para se me një të djathtë të fortë e të devijuar nga J. Selmani i Renovës të shënojë për 1:0.
Kundërshtari tentoi të përgjigjet dhe Shkëndija këtë e shfrytëzoi për të mbyllur ndeshjen në kohën shtesë me golin e dytë të realizuar nga Besart Ibraimi me penalti, pasi paraprakisht në zonë me faul ndalet Felipe. Renova u pa e gjunjëzuar dhe kuqezinjtë me Besart Ibraimin në kohën shtesë lëshuan edhe dy mundësi të mira për gol të tretë. Numri ‘7’ fillimisht parabolon Velii-n, mirëpo nga vija fatale shpëton Mishkovskit, ndërsa fare në fund korniza e portës i mohon sulmuesit një super gol.
RENOVA-SHKËNDIJA 0:2 (0:0)
Stadiumi i qytetit në Tetovë
Shikues: 1 500
Arbitër: Marjan Eckoski
Golashënues: Alimi 87′ dhe B. Ibraimi pen. 90’+2 (Shkëndija)
RENOVA: Velii, Zuka, Sadiki (Aliu 81′), R. Selmani, Kadriu (Skenderi 89′), Gafuri (c), Mishkovski, Sefo (Ademi 50′), Fetai, Velija, J. Selmani.
Trajner: Bujar Islami
SHKËNDIJA: Zahov, Murati, Bejtullai (c), Neziri, Mici, Zejnullai (Totre 55′), Alimi, Nafiu (Radeski 35′), Felipe, Junior, Shefiti (B. Ibraimi 63′).
Trajner: Erhan Selimi