Shkëndija fiton përballë Struga Trim&Lum duelin e xhiros së 7-të në LPFMV. Kuqezinjtë dominojnë dhe sërish fitojnë pa gol të pësuar.
- Kuqezinjtë marrin triumfin e tretë ne rradhë në kampionat
- Radeski zhbllokoi rezultatin me kokë në start të takimit
- B. Ibraimi realizoi mjeshtërisht golin e dytë në të 59-ën
- Spikat Alimi me dy asiste në golat e sotëm të kuqezinjëve
- Ndeshja e rradhës kundër Vardarit në Kupën e Maqedonisë
Vazhdon marshimi pozitiv i Shkëndijës që me Erhan Selimin në pankinë koleksionon fitoren e tretë të njëpasnjëshme. Kuqezinjtë dominojnë dhe fitojnë 2:0 duelin e xhiros së 7-të përballë Struga Trim&Lum për të bërë të vetat tre pikët e rradhës. Radeski e B. Ibraimi sollën golat e triumfit, ndërsa Alimi me dy asiste konfirmon formën e mirë që në dy ndeshjet paraprake e mbante në listën e golashënuesve. Mbrojtja sërish në nivel dhe çon në tre ndeshje serinë pa gol të pranuar.
Të vendosur për të fituar kuqezinjtë u kanosën që në minutën e dytë me Besart Ibraimin që godet me të majtën skaj portës. Shkëndija vazhdoi të ushtrojë presion edhe në minutat në vazhdim dhe pasi miqtë shpëtojnë pas një goditje të Nezirit me kokë, minuta e 9-të sjell zhbllokim të rezultatit. Super asist nga Armend Alimi që me një harkim të gjatë shërben në zonë për Radeskin, ndërsa godija me kokë e sulmuesit nuk ndalet plotësisht nga portieri Gjuriq duke u rrokullisur përtej vijës fatale për epërsi 1:0 të Shkëndijës.
Mysafirët nuk arritën të reagojnë dhe deri në fund të pjesës së parë në terren egzistonte vetëm një skuadër, me kuqezinjtë që nuk mundën të sjellin golin e dytë edhe pse u kanosën me dy Ibraimat, Radeskin e Junior.
Pjesa e dytë nisi me një të majtë të A. Ibraimit që shkon pak mbi traun e portës, ndërsa Gjuriq kontrolloi të djathtën e Alimit. Skuadra kuqezi qëndroi në sulm në kërkim të golit të qetësisë dhe shifrat do të dyfishoheshin në minutën e 59-të kur sërish Alimi në rolin e asistuesit, ndërsa përfundim fantastik sjell Besart Ibraimi që me një prekje prej mjeshtri çon topin mbi portierin Gjuriq për rezultat 2:0. Këtu u mbyll historia e kësaj ndeshje që deri në fund vazhdoi të sillte imazhe të njejta, me kuqezinjtë që kërkuan të tretin me Zejnullain, Bejtullain, A. Ibraimin e Totren. Për dominimin e kuqezinjëve flet fakti se Struga Trim&Lum goditjet e para dhe të vetme në drejtim të portës së Zahovit i sollën në minutën e 88-të, kur tentimi i Lenës u bllokua në këndore, ndërsa Kirovski nuk gjeti kuadrantin. Shkëndija mbylli ndeshjen me 18-të goditje në drejtim të portës kundërshtare dhe shpërblimi ishte tre pikë të reja në saldon e kuqezinjëve që tashmë kthejnë vëmendjen kah sfida e mesjavës në Kupën e vendit.
SHKËNDIJA-STRUGA TRIM&LUM 2:0 (1:0)
Stadiumi i qytetit në Tetovë
Shikues: 2 000
Arbitër: Igor Stojçevski
Golashënues: Radeski 9′ dhe B. Ibraimi 59′ (Shkëndija)
SHKËNDIJA: Zahov, Murati, Bejtullai (c), Neziri, Mici, Zejnullai, Alimi (Totre 72′), Radeski, Junior, A. Ibraimi (Husmani 86′), B. Ibraimi (Imeri 81′).
Trajner: Erhan Selimi
STRUGA T&L.: Gjuriq, Tafe, Ramadani, Tairi (c) (Mustafov 43′), Lena, Koçoski (Cvetanoski 60′), Dragarski, Jahja (Kirovski 70′), Osmani, Kasami, Dallçeski.
Trajner: Jeton Beqiri