Kuqezinjtë fitojnë 0:3 duelin me Renovën për triumf të 28-të kampional, duke çuar ekipin në kuotën e 88-të pikëve. Dy gola të Ibraimit dhe një i Juniorit sjellin tre pikët, ndërsa çojnë Shkëndijën në shifrën e 97-të golave në këtë sezon.
Një javë larg nga finalja e Kupës me Pelisterin, trajneri Osmani nis më serioz të mendojë për atë ndeshje duke nisur takimin me Renovën thuajse me formacion të plotë. Pas mungesës u kthyen Ibraimi e Musliu, ndërsa në portë ishte Rexhepi me Zahovin në pankinë. Fillimi ishte i qetë, por më pas Shkëndija sikur ndëroi shpejtësinë dhe pas gjysmë ore lojë krijoi epërsi të thellë 0:3. Besart Ibraimi ishte njeriu i ndryshimit me dy gola të shpejtë në harkun kohor prej dy minutave. Fillimisht në minutën e 18-të Bejtullai depërton në të djathtë dhe asiston para portës ku me saktësi realizon Ibraimi për epërsi të Shkëndijës. Dy minuta më vonë shifrat shkuan në 0:2 kur sërish në skenë shfaqen dyshja Bejtullai-Ibraimi. I pari asiston edhe një herë, ndërsa nuk fal para portës Ibraimi që prek shifrën e 23 golave në këtë kampanjë. Renova u pa e thyer dhe kuqezinjtë kishin dominim të plotë duke qarkulluar topin e duke krijuar shanse shënimi. Goli i tretë erdhi në minutën e 30-të kur Junior tregohet i shkathtë kur arrin të realizojë në mes të dy mbrojtësve kundërshtarë. Ky ishte rezultati i pauzës, ndërsa në start të pjesës së dytë të dyja palët patën nga një kanosje por pa ndryshim. Në minutën e 57-të shans i dyfishtë për kuqezinjtë kur fillimisht askush nuk ndjek asistin e Bojkut, ndërsa në vazhdim e djathta e Alimit ndalet në shtyllë. Renova nuk gjente hapsira për të tentuar të rikthehet në lojë dhe rezutati i lartë bëri të bjerë intensiteti i lojës megjithëse Shkëndija vazhdonte të ketë kontrollin e topit. Bojku i’u ofrua golit me një të djathtë të fortë që kontrollohet në dy kohë nga portieri Velii. Në anën tjetër intervenim i saktë edhe nga gardiani kuqezi Rexhepi, që nxjerr në këndore një goditje dënimi të devijuar në murin e gjallë. Deri në fund nuk pati ndryshim me tre pikët që shkojnë në konton e kuqezinjëve, tani me 88-të në vendin e parë. Shkëndijës tanimë i mbetet ndeshja e fundit të dielën (20 maj) me Pelisterin në Tetovë kur edhe do të festohet titulli i kampionit për sezonin garues 2017/2018.
RENOVA-SHKËNDIJA 0:3 (0:3)
Stadiumi i qytetit në Tetovë
Shikues: 500
Arbitër: Igor Stojçevski
Arbitra anësorë: Daniel Vasilevski dhe Sashe Toshevski
Delegat: Arso Zdraveski
Golashënues: Ibraimi 18′ dhe 21′, si dhe Junior 30′ (Shkëndija)
Kartona të verdhë: Sadiki, Jusufi dhe Nafiu (Renova), ndërsa Bojku dhe Murati (Shkëndija)
Karton i kuq: /
RENOVA: Velii, Kostov, Neziri, Sadiki (Iljazi 61′), Jusufi, Nuhi, Mishkovski, Kadriu (Skenderi 85′), Nafiu, Abdulla (Velija 71′), Meireles.
Trajner: Agron Memedi
SHKËNDIJA: Rexhepi, Wakili (Murati 58′), Bejtullai, Alimi, Cuculi, Ibraimi (Shefiti 70′), Hasani, Radeski (Emini 70′), Musliu, Junior, Bojku.
Trajner: Qatip Osmani