Në shoqërim të spektaklit në tribuna Shkëndija pranon trofeun e dytë të kampionit në LPFM. Sezoni mbyllet me fitore 4:0 përballë Pelisterit, për triumf të 29-të sezonal, 101 gola të shënuar dhe 91 pikë rekorde për të shkuar 35 pikë larg vendit të dytë. Ibraimi me 23 gola për të tretën herë me rradhë bëhet golashënuesi i sezonit.
Shkëndija mbyll me festë sezonin garues 2017/2018 ndërsa futbollistët në terren publikut i dhurojnë tjetër fitore bindëse duke shkatëruar 4:0 Pelisterin. Spektakli i “Ballistëve” dhe numri i madh i spektatorëve që kishin ardhur të nderojnë titullin e dytë në historinë e kuqezinjëve morrën përgjigjen e duhur nga lojtarët që mbajtën nivelin e gjithë sezonit, duke shkëlqyer me lojë, shanse dhe gola. Ndeshja nisi me koreografi në tribuna dhe me atmosferë festive nga fakti se ndeshja luhej vetëm për prestigj dhe kuqezinjtë shumë më herët kishin siguruar titullin e kampionit. Mbase duke ditur se para xhiros së fundit Shkëndija numëronte 97-të gola të shënuar, sfidë e kësaj përballje mbetej të prekej shifra e 100 realizimeve në këtë sezon. Shkëndija dominonte por për golin e parë duhej të pritej deri pak para pauzës. Djemtë e trajnerit Osmani humbën disa mundësi, më të mirën me anë të Besart Ibraimit i cili nuk arriti të shënojë nga penaltia, gjegjësisht portieri kundërshtar ndali goditjen e tij. Gjithsesi në pushim kuqezinjtë shkuan me epërsi 1:0, kur në kohën shtesë të pjesës së parë Mevlan Adili shfrytëzon një harkim në zonë dhe realizon për zhbllokim të rezultatit. Rrjeta kundërshtare u hap e vazhdimi do të sillte një Shkëndijë edhe më ofenzive që solli fillim të vrullshëm të fraksionit të dytë. Pa kaluar dy minuta Hasani kanoset nga gjuajtja e lirë, portieri Atanasovski mbron për një çast, mirëpo në topin e dëbuar arrinë Junior që shënon për 2:0. Epërsi e sigurtë e kuqezinjëve, por mbi të gjitha tanimë shifra e golave të shënuar në këtë sezon ishte 99 dhe vetëm një realizim duhej për të prekur 100-shen magjike. Dhe në këtë drejtim u humbën disa mundësi, goli sikur nuk donte të vinte dhe Pelisteri rezistoi deri në minutën e 79-të kur Bejtullai drejtoi topin para portës për Hasanin dhe sfera përplaset në shtyllë para se të hyjë në rrjetë. Dyshimet për emrin e autorit i zgjodhën arbitrat dhe emri i Ferhan Hasanit shënohet pas golit të 100 të Shkëndijës në këtë sezon historik. Kapiteni deri në fund u përkujdes që të kalohet njëqindëshja magjike kur në minutën e 83-të shënoi për 4:0 nga penaltia. Këtu përfundoi historia e kësaj sfide, kuqezinjtë mbyllën sezonin historik me dominim të paparë, duke grumbulluar 91 pikë, plotë 35 më shumë se ekipi i vendit të dytë, 29 fitore rekorde, 101 gol të shënuar dhe me treshen Ibraimi (23), Hasani (22) e Junior (11) që numërojnë 56-të gola, më shumë se bashkë komplet çdo skuadër tjetër e kampionatit. Çmimi golashënuesi më i mirë i sezonit për të tretin vit me rradhë shkon për Besart Ibraimin, që gjithashtu është rekord pasi në historinë e futbollit të Maqedonisë deri tani asnjë futbollist nuk ka fituar tre herë këtë çmim.
SHKËNDIJA-PELISTERI 4:0 (1:0)
Stadiumi i qytetit në Tetovë
Shikues: 11 000
Arbitër: Marjan Gocevski
Arbitra anësorë: Igor Shirilov dhe Orce Stefanovski
Golashënues: Adili 45’+1, Junior 47’ dhe Hasani 79’ e 83’ pen. (Shkëndija)
Kartona të verdhë: Hasani (Shkëndija), ndërsa Krklinski, Naumovski, Konjarski, Markovski dhe Nedanoski (Pelisteri).
Karton i kuq: /
SHKËNDIJA: Zahov, Cuculi, Musliu (Teqja 84’), Bejtullai, Wakili (Adili 20’), Alimi, Fazllagiç (Emini 63’), Ibraimi, Hasani, Junior, Radeski.
Trajner: Qatip Osmani
PELISTERI: Atanasovski, Krklinski, Markoski (Momirovski 41’), Ljamçevski (Zdravevski 79’), Naumovski, Konjarski, Markovski, Kotevski, Nedanoski, Trifunovski (Ilijovski 64’).
Trajner: Nexhat Husein