Hasani, Radeski dhe Musliu, ftesë për testet e Maqedonisë

No image

Tre futbollistët e Shkëndijës planifikohen si pjesë e përfaqësueses së Maqedonisë për ndeshjet kontrolluese me Finlandën dhe Azerbejxhanin më 23 dhe 27 mars në Antalia të Turqisë.

Pauza e kampionatit në muajin mars e caktuar nga FIFA për termine të ekipeve përfaqësuese do të mbajë aktiv tre futbollistë të skuadrës kuqezi. Maqedonia ka caktuar dy takime kontrolluese dhe për të njejtat seleksionuesi Igor Angellovski në adresë të klubit ka dërguar ftesë për Ferhan Hasanin, Marjan Radeskin dhe Visar Musliun. Dy të parët janë standard pjesë e përfaqësueses kohëve të fundit, ndërsa Musliu edhe pse kishte statusin e lojtarit standard të Maqedonisë në fund të ciklit kualifikues për “Rusi 2018”, pas arritjes te kuqezinjtë në janar të këtij viti, për herë të parë do të shkojë në përfaqësuese si futbollist i Shkëndijës. Tre kuqezinjtë duhet të vihen në shërbim të përfaqësueses prej 18-të deri më 28 mars.

Të dyja takimet testuese do të luhen në Antalia të Turqisë, kur Maqedonia më 23 mars përballet me Finlandën, ndërsa më 27 mars pason përballja me Azerbejxhanin.