Xhiroja e 26: Shkëndija-Renova

No image

E shtuna në elitën e futbollit vendor sjell duelin lokal Shkëndija-Renova. Kuqezinjtë kërkojnë të vazhdojnë serinë pozitive, megjithëse do të kenë mungesa të rëndësishme si Hasani dhe Alimi i lënduar dhe të pezulluarit Ibraimi dhe Adili.

 

Skuadra kuqezi ka përfunduar përgatitjet për ndeshjen e xhiros së 26-të në Ligën e Parë të futbollit të Maqedonisë, kur të shtunën në cilësi të vendasit përballet me Renovën. Shkëndija kërkon të vazhdojë ecurinë pozitive në kampionat, për të shkurtuar sa më shpejtë rrugën drejt sigurimit të titullit të kampionit, ndërsa në të njëjtën kohë ekipi fokusohet të ruajë formën para duelit të kthimit të gjysmëfinales së Kupës të mërkurën e ardhshme (11 prill) kundër të njejtit rival.

“Atmosfera në skuadër është shumë e mirë, jemi 16-të pikë para Vardarit por ne këtë e heqim anash, do ta marrim ndeshjen shumë seriozisht dhe do të japim më të mirën në fushë për të fituar. Ndeshja e të shtunës gjithashtu duhet shfrytëzuar për ta pritur sa më të gatshëm takimin e kthimit të gjysmëfinales së Kupës të mërkurën me të njejtin kundërshtar”, shprehet mesfushori Besmir Bojku.

Formacioni i Shkëndijës të shtunën kundër Renovës do të pësojë ndryshime të detyrueshme, pasi stafi teknik përballet me mungesa të rëndësishme. Kapiteni Hasani mungon tanimë një kohë shkaku i lëndimit dhe përkundër faktit se ka nisur me vrapime të lehta ai ende nuk është i gatshëm për lojë. Shqetësime me lëndime kanë edhe Armend Alimi dhe Alma Wakili. Ndërkohë, shkaku i skualifikimit jashta kombinimit për këtë sfidë mbeten edhe tre titullarët Ibraimi, Alimi dhe Adili. Ky i fundit u ndëshkua me karton të kuq në sfidën e xhiros së 25-të me Skopjen, ndërsa në të njejtin takim pesë kartona të verdhë kompletoi Besart Ibraimi, që automatikisht nënkupton pezullim për një ndeshje. Për këtë arsye stafi teknik ka punuar brenda javës për të komponuar ekipin që do të nisë sfidën me Renovën, ku pa marrë parasysh mungesat objektiv mbetet fitorja. Kuqezinjtë përveç formës dhe cilësisë, mbështeten edhe te tradita pozitive në duelet me rivalin lokal, nga të cilën nuk humbin në 11-të ndeshjet e fundit. Në dy takimet paraprake të këtij sezoni Shkëndija fitonte 2:0 dhe 6:1, ndërsa barazuan 1:1 në takimin e parë të gjysmëfinales së Kupës e luajtur më 14 mars.
Përballja Shkëndija-Renova luhet të shtunën në stadiumin e qytetit në Tetovë me fillim në orën 16:00.