Xhiroja e 13-të: Pobeda-Shkëndija

No image

Marshimi i Shkëndijës drejt titullit vazhdon të dielën në Prilep kur kuqezinjtë në terrenin Mogila përballen me Pobedën në kuadër të xhiros së 13-të në LPFM.

Si lidere e renditjes Shkëndija pretendon tre pikët e rradhës për të ruajtur distancën para ndjekësve për vendin e parë. Transferta me Pobedën do të jetë sfida e rradhës që duhet fituar nga kuqezinjtë, posaçërisht për tu rrikthyer te triumfi pas humbjes së mesjavës nga Akademia Pandev. Skuadra ka punuar këto ditë në eliminimin e mangësive dhe rritjen e koncentrimit të skuadrës në faza të caktuara të lojës. Trajneri Osmani vlerëson se nuk ka arsye për shqetësim përkundër disfatës që erdhi vetëm si rezultat i disa episodeve, pasi realisht Shkëndija dominoi pjesën më të madhe të ndeshjes dhe krijoi shumë mundësi shënimi. Nëse skuadra arrinë të përsërisë këtë në Prilep, tekniku kuqezi beson në tre pikë përballë Pobedës.

Gjithsesi kjo ndeshje shihet me kujdes dhe maturi, pasi të ndihmuar nga terreni i papërshtatshëm për lojë prilepasit fitojnë favor në aspekt të lojës destruktive. Pobeda kohëve të fundit ka ditur t’i shkaktojë telashe Shkëndijës kur nxori barazim 3:3 në Tetovë në fillim të këtij sezoni, ndërsa kishte fituar 1:0 sezonin e kaluar pikërisht në terrenin në Mogila. Vlen të shtohet edhe fakti se Shkëndija ka shënuar të paktën një gol më të gjitha ndeshjet e këtij sezoni dhe në total është në seri prej 17-të përballjeve me rradhë në kampionat që arrinë të realizojë në rrjetat kundërshtare. Hera e fundit që kuqezinjtë mbyllën pa gol të shënuar një takim në LPFM ishte pikërisht disfata 1:0 nga Pobeda më 3 maj 2017.

FOTOGALERIA e stërvitjes së sotme

Kuqezinjtë tani besojnë të kthejnë gjërat në favorin e tyre, ndërsa për të arritur fitoren stafi teknik ka në disponim të gjithë futbollistët. Interesant është fakti se përballë do të jenë Shkëndija si ekipi me sulmin më të mirë deri tani në kampionat me 36 gola të shënuar dhe Pobeda që ka mbrojtjen më të dobët me 22 gola të pranuar, më shumë se çdo skuadër tjetër pas 12-të xhirove në LPFM.
Përballja Pobeda-Shkëndija luhet të dielën në Mogila të Prilepit me fillim në orën 13:30.