PREVIEW | Shkëndija vs Akademia Pandev

No image

Futbollistët kuqezi duken të gatshëm për t’i sjellë debutim me fitore trajnerit Ernest Gjoka, kur të premten në kuadër të xhiros së 10-të të LPFMV-së Shkëndija pret Akademia Pandevin.

Pauza ndërkombëtare për ndeshjet e ekipeve përfaqësuese ka përfunduar dhe kuqezinjtë përballë Akademia Pandevit të premten hapin xhiron e 10-të në Ligën e Parë të futbollit të Maqedonisë së Veriut. Kuqezinjtë ndërkohë emëruan Ernest Gjokën si shef të ri të stafit teknik (me Fatjon Tafja si ndihmës trajner) dhe nën drejtimin e tiranasit skuadra ka punuar intenzivisht për t’u përgatitur për duelin me Akademia Pandevin, madje duke zhvilluar edhe një miqësore me Dritën e Gjilanit (fitore 4:0). Pas pauzës ndërkombëtare të muajit të kaluar ekipi u kthye me fitore 3:0 kundër Rabotniçkit dhe kuqezinjtë besojnë sërish në fitore për t’i mundësuar trajnerit të ri debutim me tre pikë.

Të rejat në skuadër


Angazhimi i disa futbollistëve në ekipet përfaqësuese pamundësoi stafin teknik që pauzën kampionale të shfrytëzojë për të punuar me formacion të plotë, mirëpo gjithsesi ekipi dy ditët e fundit ka stërvitur i kompletuar (nga angazhimet me ekipet përfaqësuese u kthyen Bejtullai dhe Radeski (Maqedonia A), Zejnullai (Shqipëri U21), si dhe Sadriu (Kosova U21). Pasi vuajtën pezullimet e kartonave të kuq, të drejtë loje fitojnë Gledi Mici dhe Kostadin Çeshmexhiev. Jashta kombinimit për 5 kartona të verdhë i pezulluar mbetet Stenio Junior, ndërsa shkaku i lëndimeve mungojnë Valmir Nafiu dhe Zija Merxhani.

 

Kundërshtari
Akademia Pandev vjen në Tetovë për herë të parë pas 19 majit të vitit të kaluar (2018) kur kuqezinjtë festonin titullin e kampionit dhe atë ndeshje fituan me shifrat bindëse 4:1. Statistikat janë në anën e Shkëndijës që ka fituar katër nga 9-të ndeshje të luajtura në total, përkrah 2 barazimeve dhe tre disfatave. Skuadra nga Strumica ka mundur të fitojë vetëm një herë në Tetovë dhe kuqezinjtë duken të bindur për të performuar në maksimumin e tyre në kërkim të fitores së pestë kundër A. Pandev dhe të katërtën në këtë kampanjë të elitës vendore.

Dueli i xhiros së 10-të të LPFMV-së ndërmjet Shkëndijës dhe Akademia Pandevit luhet të premten në stadiumin e qytetit në Tetovë me fillim në orën 14:30.