Përgatitjet për TNS-në vazhdojnë në Tetovë

No image

Skuadra ka hyrë në javën e fundit të përgatitjeve para sfidës me The New Saints të martën e ardhshmë në kuadër të raundit të parë kualifikues të Champions League.

Pas tre ditëve të lira që stafi teknik u dha futbollistëve pas kthimit nga Sllovenia ku u zhvillua faza kryesore e përgatitjeve verore, kuqezinjtë sot i janë rikthyer punës në Tetovë. Ekipi ka punuar në Reçicë ku stafi teknik ul ngarkesën me pretendim që ekipi të kthejë freskinë e nevojshme pas përgatitjeve intenzive. Gëzon gjendja fizike e futbollistëve pasi nuk ka asnjë ankesë lëndimi dhe me ngarkesë maksimale ka punuar edhe Egzon Bejtullai që shkaku i dëmtimit lëshoi para kohe  lojën në testin e fundit në Slloveni (fitore 3:1 ndaj Vorsklas së Ukrainës).

Ekipi do të vazhdojë me këtë tempo në Tetovë deri të dielën, ndërsa të hënën shpërngulet në Shkup ku do të presë takimin e parë të eliminatoreve të Champions League të martën përballë The New Saints të Welsit.