Milani do presë, koncentrimi për startin e sezonit kundër Vardarit

No image

Edhe pse është e pashmangshme tema e përballjeve me gjigandin e futbollit botëror, Milanin, futbollistët e Shkëndijës në këtë moment koncentrimin e drejtojnë kah përballja me Vardarin. Në fundjavë starton sezoni i ri në Ligën e Parë të futbollit të Maqedonisë dhe “kuqezinjtë” për takimin e UEFA Europa Leagues do të mendojnë vetëm pas përballjes së parë sezonale.

 

Shkëndija ka koleksionuar tjetër vit historik në përfaqësimin e saj europian. Si kurrë më parë për të dytin vit me rradhë skuadra arrin të hyjë në play off për inkuadrim në grupet e UEFA Europa League. Vitin e kaluar nga Shkëndija u eliminuan Krakovia e Polonisë, Neftchi nga Azerbajxhani dhe Mlada Boleslav i Çekisë. Ndeshja me Gentin e Belgjikës ishte pika më e lartë që Shkëndija kishte prekur ndonjëherë në Europë dhe eliminimi nga një ekip që më vonë kaloi grupet dhe në fazën e rradhës eliminoi një Totenhem që garonte për titullin e kampionit në Premier Ligën angleze nuk mund të quhej dështim. Këtë vit “kuqezinjtë” lan pas vetes Daçian e Moldavisë, HJK Helsinkin e Finlandës dhe së fundmi edhe Trakain nga Lituania. Shorti për në play off Shkëndijës i nxori 7 herë fituesin e Ligës së Kampionëve, Milanin, e mjaftueshme për të shtuar jehonën e klubit tonë në suaza ndërkombëtare. Shkëndija tani më para vetes ka përfundimisht ndeshjet më të mëdha në histori, por skuadra duket e koncentruar dhe stafi teknik kërkon gjërat të funksionojnë pa ndonjë eufori. Në këtë moment edhe pse është e vështirë, megjithatë tentohet që askush mos të mendojë për Milanin. Arsyeja është e thjeshtë, në fundjavë starton sezoni i ri garues 2017/2018 në Ligën e Parë të futbollit të Maqedonisë dhe Shkëndija në takimin e parë si vendase në Tetovë do të përballet me Vardarin. Ndeshje e rëndësishme para një publiku të etshëm të shohë afër ekipin që po shkëlqen në UEFA Europa League, ngase jo secili ka mundur të udhëtojë drejt Strumicës ku “kuqezinjtë” luanin si vendas në skenën ndërkombëtare. Skuadra kërkon start me tre pikë, ndërsa pritet që në këtë përballje futbollistët të kenë përkrahje të madhe nga tribunat në synimin e nisjes së mbarë të sezonit të ri, për të treguar mirënjohje për rezultatet e arritura në UEFA Europa League dhe për të inkurajuar lojtarët para transfertës me Milanin në San Siro.​