Merxhani | Ndjenjë e bukur të luaj sërish para “Ballistëve”

No image

Mbrojtësi i majtë kthehet të luajë pas 8 muajve pauzë, shkaku i dëmtimit të rëndë. “Periudha e vështirë mbetet prapa meje. Jam optimist për të ardhmen”, thotë Merxhani. 

Fitorja 3:0 të dielën ndaj Vardarit nuk ishte lajmi i vetëm pozitiv për Shkëndijën. Triumfi dhe tre pikët e reja shkojnë në konto, derisa trajneri Jeton Beqiri dhe kuqezinjtë në luftën për titullin kampion tashmë kanë në dispozicion një armë shtesë, pasi nga lëndimi i rëndë është kthyer Zija Merxhani. Mbrojtësi i majtë u inkuadrua në lojë në minutën e 88-të në vend të Çinarit dhe zhvilloi 6 minutat e para (2 të kohës së rregullt dhe 4 shtesë) pas 8 muajve pauzë. I dëmtuar më 5 korrik 2023 në testin me Sarajevën, Merxhani kthehet pasi rikuperoi ligamentet e kryqëzuara.

Jam shumë i lumtur që më në fund jam kthyer të luaj. Lëndimet e rënda janë momente të vështira për ne futbollistët. Edhe pse janë pjesë përbërëse e futbollit, por të qëndrosh aq gjatë jashta terrenit të lodh edhe psiqikisht. Por shyqir Zotit tashmë pauza është prapa meje dhe shikoj me optimizëm përpara”, thotë Merxhani. 

Interesant dueli me Vardarin, për Merxhanin ishte praktikisht debutim me fanellën e Shkëndijës në një ndeshje zyrtare pas rikthimit nga Struga, derisa ndeshja e parë me fanellën e Shkëndijës në Tetovë pas gati 2 viteve. Ziki kishte luajtur me kuqezinjtë ndeshjen e fundit në Tetovë më 8 maj 2022 përballë Shkupit, derisa një javë më vonë ndaj Strugës si mysafir ishte dueli i fundit, pas çka ndodhi transferimi te skuadra strugane me të cilët fitoi titullin kampion para se të kthehej te Shkëndija.

Vërtet më kishte munguar ky ambient. 2 vite janë periudhë e gjatë, por nuk do kisha mundur të zgjedh moment më të mirë për tu kthyer. Të luash para “Ballistëve” është ndjenjë fantastike. I falemenderoj për atmosferën e shkëlqyeshme. Fitorja shkon për ta dhe tash duhet të vazhdojmë me këtë ritëm. Personalisht jam optimist për vazhdimin e këtij sezoni”, përfundoi Zija Merxhani. 

Shkëndija ndeshjen e radhës e luan të mërkurën në Turnovë përballë AP Brera Strumica, në kuadër të xhiros së 22-të në LPFM. 

Share Now

Related Post