• Shkëndija fiton 1:0 transfertën me Nomme Kalju-n e Estonisë
• Agim Ibraimi shënon golin e fitores nga pika e bardhë
• Debuton në një ndeshje zyrtare me Shkëndijën, Zeni Husmani
• Kuqezinjtë marrin fitoren e tretë në eliminatoret e UEFA Champions League
• Ndeshja e kthimit e xhiros së parë luhet më 16 korrik në Shkup
Një penalti e realizuar nga Agim Ibraimi (81′) na jep fitore dhe epërsi 1:0 pas ndeshjes së parë të xhiros së parë eliminatore të UEFA Champions League kundër Nomme Kalju të Estonisë.
Shkëndija që në fillim vendosi autoritet në fushë dhe kanosja e parë do të vinte pas tetë minutave lojë kur A. Ibraimi asiston bukur për Radeskin, mirëpo goditja e tij kontrollohet nga portieri vendas, Londak. Vendosja ofenzive e tanëve linte hapsira për kundërsulm dhe në minutën e 19-të Liliu depërton në krahun e majtë, për tu ndalur nga Zahov që mbyll me kohë portën. Pasuan minuta të qetë gjatë të cilëve Shkëndija kontrollonte topin dhe emocionet do të riktheheshin në minutën e 33-të kur harkimi i Muratit gjen Radeskin në zonë, por fati ishte me vendasit pasi goditja e tij me kokë ndalet në traversë. Deri në fund të pjesës së parë dominuam në fushë, por pa arritur të ndryshojmë rezultatin e fillimit.
Qasjen e njejtë tanët e vijuan edhe në të dytën, kur pas dy rrëzimeve të pa sanksionuara në zonë të Radeskit dhe B. Ibraimit, ky i fundit në minutën e 52-të do të kanosej nga gjuajtja e lirë që largohet në këndore nga gardiani vendas. Pak më vonë e majta e Radeskit s’kishte saktësinë e duhur, kur sulmuesi u gjet në shans ideal. Takimi ngjante në trafik njëkahësh, pasi vendasit qëndronin statik të tërhequr në pjesën e tyre, ndërsa Shkëndija kërkonte mënyrë për të kaluar defanzivën e ngjeshur të rivalit. Në kushte të tilla kanosjet më serioze do të vinin nga ndërprerjet dhe në minutën e 61 sërish B. Ibraimi i afrohet golit nga gjuajtja e lirë por e djathta e tij shkon skaj portës. Vetëm shtatë minuta më vonë ishte rradha të provojë nga goditja standarde Ibraimi tjetër, por e majta e Agimit kalon ngjitur me traversën. Dominimi nuk mund të kalonte pa dhënë rezultat dhe Shkëndija do të gjente epërsinë 9-të minuta para fundit. Valmir Nafiu në depërtim dhe lojë me dorë brenda zonë nga mbrojtësi vendas, ndërsa i pagabueshëm nga pika e bardhë ishte Agim Ibraimi që sjell epërsi 1:0.
Nomme Kalju duhej të pranonte gol që më në fund të tregojë apetite sulmuese, mirëpo në nivel ishte mbrojtja jonë që nuk lejoi rivalin të sillte ndonjë rrezik më serioz. Shkëndija në minutat e fundit mundej të gjejë golin e dytë kur fillimisht në të 89-ën Nafiu depërtoi në pjesën kundërshtare, mirëpo gëzimin i’a shkurtoi portieri vendas. Në kohën shtesë e majta e Imerit ndalet me shumë mund nga Londak, ndërsa në vazhdim Nafiu çon topin jashta kuadrantit. Në fund sfida mbyllet me shifrat 0:1 dhe kuqezinjtë marrin epërsi minimale para ndeshjes së kthimit të martën e ardhshme në Shkup.
NOMME KALJU-SHKËNDIJA 0:1 (0:0)
Stadiumi: Kadrioru Staadion në Talin
Shikues: 1 640 Arbitër: Donald Robertson (Skoci) Golashënues: A. Ibraimi 81′ (Shkëndija) NOMME KALJU: Londak, Markovych, Avilov, Ugge, Kulinitsh, Subbotin, Alidor, Paur, Kirss (Volkov 58′), Mashitshev (Klein 76′), Liliu. Trajner: Roman Kozhukhovskyi SHKËNDIJA: Zahov, Murati, Bejtullai, Musliu, Mici, Alimi (c), Husmani, A. Ibraimi (Imeri 90′), Totre (Zejnullai 85′), Radeski, B. Ibraimi (Nafiu 77′). Trajner: Qatip Osmani