Vetëm një pikë kanë fituar kuqezinjtë në ndeshjen e zhvilluar ndaj Borecit në Stadiumin e Qytetit në Tetovë, në kuadër të javës së 25-të të LPFMV-së.
Ishte Shkëndija ajo që vazhdimisht e diktonte lojën, krijoi shumë raste shënimi në të dyja fraksionet, por lojtarët kuqezi deri në përfundim të ndeshjes nuk arritën të gjejnë rrugën e rrjetës.
Formacioni:
Shkëndija e filloi ndeshjen me formacionin me renditjen 3-4-2-1, por që në krye të sulmit në këtë ndeshje trajneri Akrapoviq e kishte preferuar 17-vjeçarin Nazifi.
XI: Zahov, Krivak-Neziri-Cake, Dita-Mensalao-Hasani (c)-Manevski, Shala-Nafiu, Nazifi.
Përmbledhje:
Sinjali i parë për Shkëndijën erdhi në minutën e 4-të, kur pas një aksioni të mirë organizuar nga krahu i djathtë, Hasani e gjen Shalën brenda zonës që menjëherë pason deri te Nazifi i cili gjendet përpara portës së Jakimovskit. Nazifi shkelmon topin në drejtim të kuadratit por mbron portieri Jakimovski (4’).
Dita godet nga distanca me të djathtën e tij, por topi nuk shkon në cak (8’).
Shala kroson brenda zonës nga krahu i djathtë, topi vjen deri te Dita që godet me thembër por mbron portieri Jakimovski për një çast, topi devijohet përsëri deri te Dita që provon përsëri por tentativa e tij bllokohet nga mbrojtja mysafire. Topi së fundmi devijohet deri te Manevski që provon për së treti brenda këtij aksioni, por gjuajtja e Manevskit shkon mbi kuadrat (32’).
Manevski harkon nga ana e majtë, Nazifi qëllon me kokë por topi shkon shumë pranë shtyllës (44’).
HT: Shkëndija 0:0 Borec
Me fillimin e pjesës së dytë, nga loja u larguan Nazifi, Nafiu dhe Manevski, ndërsa në lojë u inkuadruan Doriev, Guri dhe Merxhani.
Dita niset përpara në një solo aksion, pason brenda zonës deri te Hasani që menjëherë kombinon me Dorievin. Ky i fundit u gjend në pozitë mjaft të volitshme për të shënuar, godet në drejtim të portës por intervenon portieri Jakimovski duke e dërguar topin në rivënie këndore (54’).
Në minutën e 61-të Mensalao largohet nga loja dhe në vend të tij në fushë inkuadrohet Bilalli.
Hasani kroson nga këndorja, Guri godet me kokë por mbron portieri Jakimovski duke e ndalur topin në vetë vijën e golit (61’).
Doriev qëllon në drejtim të portës por gjuajtja e tij ishte qendrore dhe rezultati mbeti ai i fillimit (63’).
Cake godet nga jashtë zonës, topi devijohet nga një mbrojtës mysafir dhe shkon vetëm disa centimetra mbi traversë (73’).
Në minutën e 73-të Cake largohet nga loja dhe në vend të tij në fushën e lojës inkuadrohet Bejtullai.
Goditje e lirë nga krahu i majtë për Shkëndijën. Hasani godet në drejtim të kuadratit por topi shkon shumë pranë shtyllës së parë (85’).
Shala shërbehet me një top në krahun e djathtë, pasi avancon përpara harkon brenda zonës, topi devijohet deri te Dorievi që gjendet i vetmuar para portës kundërshtare por portieri Jakimovski mbron tentativën e Dorievit për të dërguar topin në rrjetë (87’).
Hasani shkelmon topin në drejtim të kuadratit por tentativa e tij devijohet nga mbrojtja kundërshtare me topin që kalon shumë pranë shtyllës (90+1’).
Hasani harkon nga këndorja, Krivak godet me kokë por topi përsëri shkon shumë pranë shtyllës (90+1’).
FT: Shkëndija 0:0 Borec
Stadiumi i Qytetit në Tetovë.
SHKËNDIJA: Zahov, Krivak, Neziri, Cake (Bejtullai 72’), Dita, Mensalao (Bilalli 61’), Hasani, Manevski (Merxhani 46’), Shala, Nafiu (Guri 46’), Nazifi (Doriev 46’).
Trajner: Bruno Akrapoviq