Mundemi 2:0 nga Shkupi në Kërçovë në duelin e parë të gjysmësezonit pranveror. Hasani e Milev humbën super mundësi, derisa vendasit shënuan nga një gol në secilën pjesë.
Detajet e ndeshjes:
SHKUPI – SHKËNDIJA 2:0 (1:0)
Stadiumi i qytetit në Kërçovë
Golashënues: Alvarez 36’ dhe Trapanovski 90’+3 (Shkupi),
Arbitër: Aleksandar Stavrev (Shkup)
SHKUPI: Naumovski, Margbelashvili, Abdulla, Alvarez (Cephas 90’+3), Adetunxhi (Trapanovski 86’), Hamidi (Mladenovski 90’+3), Riçkov (Sheji 46’), Diene, Brdarovski, Danfa (Adem 71’), Çueven.
Trajner: Goce Sedlovski
SHKËNDIJA: Taleski, Bejtullai, R. Ramadani (Qaka 76’), Çinari (Mujezinoviç 76’), Totre, Hasani (c), Maksimov, Dita (Velija 45’+2), Murati (Cake 46’), Shala (Doriev 46’), Milev.
Trajner: Qatip Osmani
Ndeshja:
Shkëndija e nis me humbje gjysmësezonin pranveror pasi mundemi 2:0 në transfertën me Shkupin më Kërçovë ku shkupjanët luajnë shkaku i pezullimit të terrenit të tyre. Edhe pse patëm super mundësi me Milevin në 0:0 dhe Hasanin në 1:0, Shkupi avansoi në me golin e Alvarezit, ndërsa në të dytën pasi nuk mundëm të barazojmë dhe mbetëm pa Hasanin (85’) e lënduar pas një goditje në kokë, vendasit në kohën shtesë me Trapanovskin vulosën rezultatin final.
Trajneri Osmani ndeshjen e nisi me Taleskin në portë, që zuri vendin e Zahovit që gjatë javës nuk u stërvit shkaku i virozës, derisa Doriev startoi nga bankina pasi akoma nuk është në 100% e tij. Fillimi i takimit ishte i qetë nga dy palët dhe emocionet e para do të vinin në minutat 21’ dhe 22’ kur fillimisht Adetunxhi goditi mbi portë, derisa pas pak Taleski shpëtoi portën pasi mbylli në kohë Hamidin. U përgjigjëm me Hasanin pas katër minutave pasi Çinari jep super pasim, ndërsa kur u gjet ballë ballë me portierin, kapiteni godet fare pranë shtyllës. Në minutën e 33-të pamë super mundësi për Shkupin, por Taleski shpëton mrekullisht kur u gjet ballë ballë me Hamidin. Loja fitoi në dinamikë dhe mundësia më e mirë shfaqet për kuqezinjtë që 10-të minuta para pauzës prodhojnë super kundërsulm me Shalën e Hasanin, Çinari harkon shkëlqyeshëm, mirëpo Milev godet me kokë skaj portës. Dënimi për këtë huqje të madhe nuk vonoi, pasi në minutën e 36-të Alvarez shënon për 1:0 pas një rëmuje në zonë, pasi paraprakisht Shkupi nuk ndali lojën pas një goditje ndaj Muratit. Në fund të pjesës së parë mbetëm pa Ditën e dëmtuar dhe vendin e tij e zuri Velija.
I pakënaqur me ecurinë në fillim të pjesës së dytë trajneri Osmani hodhi në fushë Dorievin dhe Caken në vend të Muratit e Shalës. Dhe Shkëndija u duk më e karikuar përpara duke sjellë kanosjen e menjëhershme me Totren, por pa ndryshim. Më vonë e majta e fortë e Çinarit nuk gjeti kuadratin, derisa fare pranë barazimit shkuam në minutën e 60-të kur shfaqet skemë e bukur nga gjuajtja e lirë e Çinarit me Hasanin, Buba mund portierin, mirëpo topi devijohet nga Abdulla ndalet në kornizën e portës dhe kthehet në fushë. Shkëndija ishte e pafat dhe asesi të gjente barazimin edhe pse ishim më kërkues, derisa në kundërsulme Shkupi provontë të mbyllë ndeshjen. Në minutën e 85-të mbetëm me 10-të lojtarë në fushë pasi Hasani u dëmtua në kokë dhe ndërkohë trajneri Osmani kishte kryer të gjitha zëvendësimet. Në kohën shtesë Shkupi shfrytëzoi një kundërsulm dhe me Trapanovskin vulosi rezultatin final 2:0.
Ndeshja e radhës
Fundjavën e ardhshme luhet xhiroja e 20-të në LPFMV, dhe Shkëndija luan si vendase me Pobedën.
Shkëndija-Pobeda 26.02.2023