Kuqezinjtë humbin ndeshjen kundër Akademija Pandevit në qytetin e Strumicës me rezultatin 2:1, në kuadër të xhiros së dhjetë të LPFMV-së.
Ishin lojtarët kuqezi ata të cilët e dominuan gjithë ndeshjen, kishin një numër të madh të rasteve të qindpërqindta dhe epërsi deri në minutën e 77-të, por dy gola të pranuar në 13 minutat e fundit të ndeshjes ishin vendimtare që të pësojmë humbjen e dytë në kampionat në këtë sezon garues.
Formacioni:
Shkëndija e filloi ndeshjen me formacionin me Bruno Ditën në pozicionin e qendërmbrojtësit, si dhe me Dorievin dhe Gurin në krye të sulmit.
XI: Zahov, Murati–Bejtullai (c)-Dita-Neziri, Jessie Djou-F. Ramadani-Shala-Nafiu, Doriev-Guri.
Përmbledhje:
Që në minutën e parë Shkëndija krijoi dominim total në fushë, duke kërcënuar disa herë portën kundërshtare dhe duke e detyruar kundërshtarin të tërhiqet në mbrojtje.
Shkëndija kaloi në epërsi në minutën e 17-të me një gol të bukur të Dorievit, i cili arriti të mposhtë portierin kundërshtar me parabolë, pas një asistimi me kokë nga Guri (17’).
Sindrit Guri pason brenda zonës deri te Nafiu i cili kur pritej të dyfishojë rezultatin, goditja e tij u bllokua nga mbrojtësi kundërshtar (18’).
Goditje nga këndi për Shkëndijën, Jessie Djou godet me kokë por portieri Jovanovski grushton topin (18’).
Dorievi depërton nga ana e majtë, futet në zonë ku kombinon me Nafiun i cili e kthen topin deri te Guri. Ndaj Gurit shkaktohet ndërhyrje e palejueshme brenda 16-metërshit, por gjyqtari nuk tregon në pikën e bardhë (26’).
Kombinime të bukura ndërmjet Shalës, Nafiut dhe Dorievit i cili gjuan në drejtim të portës, por mbrojtësi kundërshtar e bllokon gjuajtjen e tij (45’).
HT:Akademija Pandev 0:1 Shkëndija
Me fillimin e pjesës së dytë largohet nga loja Nafiu, e në vend të tij në lojë inkuadrohet mesfushori Kamer Qaka.
Dorievi udhëheq me topin nga ana e djathtë, futet në zonë dhe godet në drejtim të portës, por portieri Marko Jovanovski mbron portën e tij (53’).
Pasime të dyfishta të Dorievit me Gurin, gjuan Dorievi në drejtim të portës por topi përplaset në transversale (63’).
Sindrit Guri kombinon me Dorievin i cili e gjen Muratin brenda zonës. Ky i fundit gjen kuadratin, por Jovanovski grushton topin dhe nuk lejon dyfishim të rezultatit (66’).
Goditja e shtatë nga këndi për kuqezinjtë, Neziri kërcen më lartë, gjuan me kokë por është përsëri portieri Jovanovski i cili shpëton rrjetën e tij (70’).
Luhej minuta e 77-të dhe ndër rastet e rralla që vendasit futen brenda zonës. Një top i kthyer deri te Mirçevski ishte vendimtar që ky i fundit të barazojë rezultatin (77’).
Armend Alimi godet në drejtim të portës me të majtën e tij, por topi shkon mbi kuadrat (83’).
Ishte përsëri Mirçevski i cili kaloi në epërsi Akademija Pandevin, me një gol të shënuar me kokë pas një harkimi brenda zonës së kuqezinjve (87’).
FT: Akademija Pandev 2:1 Shkëndija
Stadiumi “Bllagoj Istatov” në Strumicë.
Golashënues për Shkëndijën: Doriev 17′.
Golashënues për Akademija Pandev: Mirçevski 77’, 87’.
SHKËNDIJA: Zahov, Bejtullai (c), Murati, Dita (Alimi 76’), Neziri, Jessie Djou, F. Ramadani, Shala (Hebaj 85’), Nafiu (Qaka 46’), Guri (Merxhani 85’), Doriev.
Trajner: Bruno Akrapoviq.