Gjoka: Fitore me rëndësi në paraqitje jo aq të mirë

No image

Tre pikët nga transferta me Rabotniçkin kanë rëndësi të madhe për të ruajtur vazhdimësinë edhe pse paraqitja në terren len shumë për të dëshiruar vlerëson trajner Gjoka.

• “Arritëm qëllimin edhe pse bëmë gabime dhe nuk ishim në ditën më të mirë”
• “Komplimentoj kundërshtarin, dhanë gjithçka për të na vështirësuar ndeshjen”
• “Këto ndeshje sjellin presion psikologjik dhe kjo nuk të len të shprehesh si duhet”
• “E kishim të vështirë sepse për kundërshtarin tre pikët ishin të domosdoshme”
• “Pauza ndërkombëtare vjen në moment të duhur sepse kemi lojtarë të lënduar” 

 

Shkëndija vazhdon serinë pozitive duke mundur 2:1 Rabotniçkin në Shkup në kuadër të xhiros së 14-të në Ligën e Parë të futbollit të Maqedonisë së Veriut. Kuqezinjtë marrin fitoren e parë jashta Tetovës në këtë kampanjë, ndërsa regjistruan triumfin e tretë në katër duelet e fundit në kampionat. Agim Ibraimi ishte njeriu i ndeshjes me dy penalti të realizuara me sukses, ndërsa në momentet më kritike shkëlqeu portieri Zahov që prodhoi disa pritje bravuroze. Në fund penaltia e dytë erdhi pas një aksioni të saktë kur Junior asiston me kokë në zonë për Falzi, me këtë të fundit që ndalet me faul nga prapa shpinës. Triumfi erdhi mes vuajtjesh dhe për shefin e stafit teknik, Ernest Gjoka mbetet shumë e rëndësishme që fitohen tre pikët edhe në këto rrethana.

Ernest Gjoka: “Ishte një ndeshje e vështirë dhe për hir të së vërtetës duhet të komplimentoj edhe kundërshtarin sepse ato dhanë gjithçka për të na bërë të vështirë ndeshjen. Na vunë shumë herë në pozitë të vështirë, por gjithsesi në këto ndeshje është shumë e rëndësishme të fitojmë për të mbajtur ritmin. Ndonjëherë këto lloj ndeshjesh kanë brenda edhe presionin psikologjik dhe skuadra është e tensionuar për të arritur rezultatin dhe kjo nuk të len të shprehesh. Sot ishte një ndeshje jo aq e mirë nga ne, të paktën në fazën e organizimit të lojës“.

Ernest Gjoka: “Në futboll e rëndësishme është të fitohet. Ne duhet të gjejmë gjithë kohën mjete për të arritur qëllimin. Sot ne e arritëm qëllimin, sigurisht që bëmë pak gabime, nuk ishim në ditën tonë më të mirë, por këto janë ndeshje shumë të forta dhe ndeshje shumë të vështira sepse edhe për kundërshtarin sot tre pikët ishin të domosdoshme. Kjo gjë bëri që të kemi pak tension, por edhe fakti që ne duam të mbajmë ritmin dhe këto janë dy faktorë që në futboll ndikojnë ndonjëherë për mos me qenë i lirshëm dhe i aftë për të bërë atë që ne bëjmë vazhdimisht”.

Ernest Gjoka: “Pauza ndërkombëtare vjen në moment të duhur sepse kemi dëmtime, kemi Egzonin (Bejtullai) dhe Radeskin të dëmtuar, sot u dëmtua edhe Murati, Mici ka luajtur gjithë kohën i dëmtuar me dhimbje në shpatull, Armendi (Alimi) kishte dhimbje në kavilje, por nuk u dorëzua. Kështu që pauza na duhet sepse do na japë pak oksigjen për të vazhduar”.

Share Now

Related Post