Pozita e parë meriton tribuna të mbushura

No image

Aromë kampioni ndjehet në Tetovë me Shkëndijën që mban pozitën e parë në renditje. Kjo është arsye e fortë që publiku të rrikthehet në tribuna në përkrahje të ekipit që nga sfida e të dielës me Rabotniçkin në vazhdimim e rrugëtimit drejt titullit.

Kuqezinjtë të dielën luajnë sfidën e xhiros së 14-të përballë Rabotniçkit, ndërsa në ekip ndjehet atmosfera e vitit 2011 kur Shkëndija fitonte kampionatin. Ekipi ka fituar besim dhe ec sipas planit në kampionat, ndërsa ka krijuar përparësi në vendin e parë. Tani duhet vazhdimësi dhe paralel me punën e skuadrës deçizive është mbështetja që ekipi merr nga publiku.

Të dëshmuar historikisht si “lojtari i 12-të” i Shkëndijës tifozët tetovarë janë forcë shtesë për futbollistët në arritjen e çdo suksesi. Pas euforisë verore me ecurinë e bukur europiane, duket se është koha nga e diela të niset një etapë e re me qëllim titullin e kampionit. Shkëndija meriton të luajë para tribunave të mbushura dhe pritet që nga e diela të mbizotërojë atmosferë kampioni.