Opinioni i trajnerit Osmani pas fitores me Shkupin

No image

Shkëndija vazhdon serinë pozitive në kampionat që rezulton me ngjitje të skuadrës në pozitën e parë në renditjen tabelare. Fazli, Emini dhe Alimi shënuan golat në fitoren 3:0 përballë Shkupit në xhiron e 13-të, në të cilën skuadra luajti pa Ibraimin dhe Juniorin që kanë shqetësime me lëndime. Trajneri Qatip Osmani pas ndeshjes ka vlerësuar paraqitjen e skuadrës që sipas tij realizoi në përpikmëri atë që kishin përgatitur si strategji para lojës.

 


“Ishte lojë bindëse, taktikisht shumë e disiplinuar që rezultoi me tre gola. Përgëzoj lojtarët për fitoren dhe shpresoj të vazhdojë me këtë rritëm”, thotë shefi i stafit teknik, i cili potencon se mungesat në formacion kishin ndikuar që kjo përballje të pritej me kujdes për të mos lejuar befasi.
“Sigurisht se para kësaj ndeshje ishim të kujdesshëm meqë pasonte përballje me një ekip si Shkupi, që vlerësoj se gjendja e tyre në tabelë nuk jep pasqyrë reale për cilësinë që posedojnë. Plus kësaj mungesa e Besartit (Ibraimit) dhe Juniorit ishte normale që na bënte të jemi të kujdesshëm për këtë ndeshje. Megjithatë edhe zëvendësimet që bëmë treguan se kanë kualitet dhe mendoj se Shkëndija posedon lojtarë cilësorë që mund të zëvendësojnë jo vetëm Besartin dhe Zhunin por edhe tjerët.”
Trajneri kuqezi vlerëson praninë e publikut dhe atmosferën e krijuar nga ‘Ballistët’.

“Vetë loja në terren e tregoi rëndësinë e publikut. Unë gjithmonë kam thënë se ‘Ballistët’ janë shumë të rëndësishëm për ne si mbështetës, sepse prania e tyre vetëvetiu ndjehet edhe te futbollisttë pasi nuk është e njejtë të hyshë në lojë me një atmosferë si që e bëjnë ‘Ballistët’”, përfundoi Osmani.

➡️ MaYa.mk