Preview: Shkëndija vs Shkupi

No image

Kuqezinjtë fitojnë Shkupin pesë herë në pesë përballjet e fundit, ndërsa të dielën në Tetovë pretendojnë vazhdim të kësaj serie.

Skuadra nga Çairi është rivali i rradhës i Shkëndijës në kampionat, ku ekipi fiton resht tre takimet e fundit. Kuqezinjtë pretendojnë që listës me Vardarin, Makedonija Gj.P. dhe Bellasicën, t’ia shtojnë edhe emrin e Shkupit si viktimë e rradhës në kampionat. Nëse raundi i parë i garave u mbyll me krizë të Shkëndijës që nuk fitonte tre ndeshje resht (humbje me Pobedën dhe barazime me Akademia Pandev e Renovën), rrethi i dytë i garave ka nisur më së miri duke renditur tre suksese të njëpasnjëshme, me një gol-diferencë pozitive 9:1. Triumfi i fundit ishte të mërkurën në Strumicë përballë Bellasicës, ndërsa menjëherë pas ndeshjes trajneri Osmani potencoi se tani kërkohet vazhdimësi dhe në këtë drejtim rëndësi të madhe ka freskimi i ekipit në kushte kur sërish orari rezulton i ngjeshur me ndeshje çdo fundjavë-mesjavë.

Të rejat në skuadër
Pas të enjtes së lirë, stafi teknik tentoi të rikuperojë futbollistët dhe dy ditët e fundit u punua me FC Shkupin në ‘menu’. Seria e fitoreve ka ngritur atmosferën në skuadër, mirëpo disa dëmtime shkaktojnë kokëdhimbje për trajnerin Qatip Osmani. Junior dhe Çeshmexhiev akoma qëndrojnë jashta kombinimit, ndërsa listës së tyre u shtohet edhe Besart Ibraimi. Sulmuesi ndjen shqetësime pas ndeshjes së fundit dhe ekipi mjekësorë ka rekomanduar pushim dhe ekzaminime shtesë për konkluzion të saktë të gjendjes së futbollistit.

Kundërshtari
Renditja tabelare i vendos dy rivalët e të dielës në pozita diametrialisht të kundërta. Shkëndija është e dyta nga kreu me dy pikë pranë vendit të parë, ndërsa Shkupi i dyti nga fundi me një pikë më shumë se skuadra e fundit në renditje. Shkupjanët këtë sezon vuajnë mungesën e rezultateve, ndërsa kanë bilans shumë negativ në ndeshjet si mysafirë me vetëm një barazim (1:1 në xhiron e parë kundër Sileksit në Kratovë) dhe pesë disfata në gjashtë takimet e deritashme të kësaj kampanje. Takimin e parë të këtij sezoni ndërmjet veti e fitoi Shkëndija me shifrat 2:1 në Çair, ndërsa edicionin e kaluar kuqezinjtë triumfonin në të katër përballjet mes veti, që nënkupton pesë triumfe me rradhë. Shkupi fitoren e fundit dhe të vetme në 15-të duelet mes veti (prej kur mban këtë emër) e ka shënuar më 26 tetor 2016 në Tetovë kur triumfonin 1:0. Prej atëherë dy ekipet janë përballur dhjetë herë (8 në kampionat dhe dy në Kupë), me Shkëndijën që numëron 6 fitore (5 kampionale dhe një në Kupë) dhe 4 barazime (3 në kampionat dhe një në Kupë). Xhiroja e 13-të sjell duel të ri dhe kuqezinjtë pretendojnë suksesin e rradhës.

Takimi Shkëndija-Shkupi luhet të dielën në stadiumin e qytetit në Tetovë me fillim në orën 13:30.

 

➡️ MaYa.mk