Junior dhe Ibraimi realizojnë për fitore 0:2 të Shkëndijës në transfertën me Sileksin në Kratovë, në duelin e xhiros së 15-të në LPFM. Kuqezinjtë vazhdojnë të udhëheqin renditjen, tani me 37-të pikë të tubuara.
Shkëndija kthehet me tre pikë nga Kratova, pasi mund Sileksin 0:2. Dominim i plotë i kuqezinjëve në një lojë që duhet të jetë model për të ardhmen, ndërsa durimi i treguar pas pjesës së parë pa gola u shpërblye në vazhdim me realizimet e Juniorit dhe Ibraimit që zgjodhën fatin e takimit. Në një terren të rënduar nga të rreshurat Shkëndija shpejtë vendosi dominim në terren duke sulmuar vazhdimisht portën e Sileksit të tërhequr në pjesën e vet dhe që kundërsulmin e shihte si mundësi për të rrezikuar. Radeski solli kanosjen e parë pas asistit të Ibraimit, mirëpo pastrojnë vendasit para vijës fatale. Në minutën e 15-të sërish Ibraimi asiston për Radeskin, me këtë të fundit që kalon portierin dhe shënon në rrjetën vendase.
Arbitrat tregojnë në qendër, por befasisht pas protestave të vendasve dhe me rekomandim të anësorit që qëndronte në anën e kundërt të pjesës së Sileksit, kryesori Vllaho vendos të anulojë golin duke treguar lojë me dorë. Vendasit kanosjen e parë dhe të vetme në pjesën e parë e kishin në minutën e 26-të, mirëpo Zahov pret bukur tentimin e Juniorit. Në vazhdim Ibraimi kishte seri tentimesh, por pa mundur të ndryshojë rezultatin. Pak para pushimit tentuan edhe Bejtullai dhe Hasani, mirëpo në të dyja rastet topi nuk gjeti kuadrantin.
Djemtë e trajnerit Osmani me të njejtin përkushtim vazhduan edhe të dytën dhe rezultati nuk kishte si të mos vinte. Junior në minutën e 51 pranon topin në të majtë, kalon bukur mbrojtësit dhe pasi krijon hapsirën e duhur më një të djathtë të matur realizon për epërsi 0:1. Avantazhi i Shkëndijës qetësoi lojën dhe për disa minuta veçojmë vetëm kanosjen e Alimit që shkoi skaj portës. Menaxhimi i mirë i lojës nga futbollistët tanë solli golin e dytë dhe të qetësisë. Alimi harkon para portës ku Ibraimi në rënie plason në cepin e portës për 0:2 pesëmbëdhjetë minuta deri në fund të ndeshjes. Këtu mori fund historia e kësaj ndeshje, megjithëse të dyja ekipet patën raste shënimi në vazhdim. Në minutën e 86-të Shkëndija shpëton mrekullisht kur Murati pastron në vijën e fatale, ndërsa në vazhdim shtylla ishte aleate e Zahovit. Në anën tjetër Todorovski provon nga brendësia e zonës, por shpëton Mitroviq. Në fund Shkëndija regjistron fitoren e 12-të në 15-të xhiro të zhvilluara dhe me 37-të pikë vazhdon marrshimin drejt titullit të kampionit.
SILEKSI-SHKËNDIJA 0:2 (0:0)
Stadiumi i qytetit në Kratovë
Shikues: 250
Arbitër: Kostantin Vllaho Arbitra anësorë: Igor Shirilov dhe Nikolla Bozhinovski
Delegat: Zoran Vasevski
Golashënues: Junior 51′ dhe Ibraimi 75′ (Shkëndija)
Kartona të verdhë: G. Gligorov, Filipoviç, Timovski, Bllagojeviç dhe Nikollovski (Sileksi), ndërsa Zejnullai, Radeski, Ibraimi dhe Cuculi (Shkëndija) Karton i kuq: /
SILEKSI: Mitroviç, Bllagojeviç, Gucev, Stojçevski, Filipovski (Nikollovski 72′) Junior (Bujçevski 53′), F. Gligorov, G. Gligorov (Georgiev 59′), Timov, Timovski, Filipoviç.
Trajner: Zhikica Tasevski
SHKËNDIJA: Zahov, Bejtullai, Alimi, Cuculi, Ibraimi (Emini 90′), Hasani, Radeski (Todorovski 87′) Murati, Zejnullai (Bojku 75′), Junior, Teqja.
Trajner: Qatip Osmani