-
H 0:1
- |, ||, |||, Slovenia TC 2019
- 2019-06-23 17:00
Shkëndija sot në Seeboden të Austrisë u përball me ekipin çek, Fastav Zlin në takimin e dytë kontrollues të përgatitjeve verore. 90-të minuta lojë sollën vetëm një gol në rrjetën e kuqezinjëve.
Vazhdojnë përgatitjet e Shkëndijës për paraqitjen në eliminatoret e UEFA Champions League dhe kuqezinjtë sot zhvilluan testin e dytë gjatë kësaj faze. Rival ishte Fastav Zlin nga Republika Çeke të cilët morën fitoren 1:0. Fati ishte me kundërshtarin pasi kuqezinjëve në dy raste korniza e portës u’a mohonte golin edhe pse edhe Fastav Zlin në një tentativë goditi shtyllën. Duke qenë në mes të fazës përgatitore, krejtësisht natyrshëm ndjehet lodhje tek futbollistët që vazhdojnë të punojnë me intensitet të shtuar duke realizuar seancë stërvitore edhe gjatë ditës së sotme në mëngjes.
Shkëndija kishte shansin e parë kur parabola e A. Ibraimit në minutën e tretë u ndal në kornizën e portës aty ku bashkohen shtylla dhe traversa. Skuadra çeke avansoi në shansin e parë, kur në minutën e 15-të pas një harkimi nga këndi, me kokë shënon Pavel Vyhnal. Kuqezinjtë u përgjigjën me sulme dhe shkuan pranë barazimit në minutën e 27-të kur goditja me kokë e Musliut pas harkimit të Ibraimit ndalet në traversë, ndërsa në vazhdim portieri kundërshtar kontrollon tentimin e Nafiut. Korniza e portës do të shpëtonte edhe kuqezinjtë kur skuadra çeke shkoi pranë golit të dytë pas një goditje dënimi që ndalet në shtyllë.
Pjesa e dytë solli lojë të balansuar me luftë në mes të fushës nga të dyja skuadrat, që ndërkohë po kryenin më shumë zëvendësime. Për kuqezinjtë me rëndësi ishte se për herë të parë pas lëndimit 90-të minuta në portë qëndroi Kostadin Zahov, ndërsa nga minuta e 58-të në lojë u inkuadrua Besart Ibraimi që ngadalë kthehet në rritëm pas pauzës së gjatë. Në mungesë të rasteve më konkrete Shefiti i’u afrua golit në minutën e 86-të, mirëpo e djathta e tij u largua në këndore nga portieri kundërshtar. Deri në fund nuk pati ndryshim, kështu që kuqezinjtë mbyllin edhe testin e dytë gjatë kësaj faze përgatitore dhe tashmë kthehen në bazën e tyre në Kranjska Gora ku do të vijojnë përgatitjet.
SHKËNDIJA-FASTAV ZLIN 0:1 (0:1)
Vendi: Seeboden-Austri
Golashënues: Pavel Vyhnal 15′ (Fastav Zlin)
SHKËNDIJA: Zahov, Bejtullai, Musliu, Çeshmexhiev, Mici, Alimi, Husmani, Totre, Radeski, Nafiu, A. Ibraimi.
Luajtën edhe: Zejnullai, Imeri, B. Ibraimi, Neziri, Berisha, Bes. Rexhepi, Shefiti, Sadriu.
Trajner: Qatip Osmani