Goli i Besart Ibraimit nuk ka mjaftuar për fitore të Shkëndijës përballë Sileksit, pasi Gjuriq shënoi për barazim 1:1 në sfidën e xhiros së 8-të në LPFMV.
- Kuqezinjtë nuk shkojnë përtej barazimit 1:1 në sfidën me Sileksin
- B. Ibraimi shënoi në minutën e 25-të për epërsi të kuqezinjëve
- Gjuriq në fund të pjesës së parë realizoi për ndarje të pikëve
- Gjoka: “Duhej ta kishim zgjidhur ndeshjen që në pjesën e parë”
- Pason pauza dy javore shkaku i ndeshjeve të ekipeve përfaqësuese
Shkëndija ka barazuar 1:1 me Sileksin në ndeshjen e xhiros së 8-të në Ligën e Parë të Futbollit të Maqedonisë së Veriut. Kuqezinjtë zhvilluan një pjesë të parë dominuese, me shumë aksione e shanse për gol, ndërsa edhe pse avansuan me anë të Ibraimit në fund u desh të pajtohen me ndarje të pikëve përballë mysafirëve që luajtën me 10-të futbollistë nga minuta e 58-të kur Kostovski me të drejtë u përjashtua me të kuq.
Kuqezinjtë ishin dominues që në minutat e para dhe shase të mira kishin Totre e Alimi, por në nivel të detyrës shfaqej portieri mysafir, Bozhinovski. Shkëndija vazhdonte të jetë më kërkuese dhe shanset nuk mungonin edhe pse në kanosjen e parë miqtë për pak nuk avansuan kur goditja e Grozdanovskit me kokë në minutën e 23-të ndalet mrekullisht nga Zahov. Shpejt në anën tjetër erdhi ndryshimi kur Doriev e Ibraimi kombinojnë bukur, ndërsa numri ‘7’ me një të djatthtë precize shënon për 1:0.
🔥🔥 Ibraimiiii për 1-0
#ShkëndijaSileksPosted by KF Shkëndija on Saturday, October 3, 2020
Gjithë dominimi në pjesën e parë shkoi huq kur në minutën e 44 kapemi të pa organizuar në mbrojtje, ndërsa Gjuriq me qetësi shënon për simetri në rezultat.
Fillimi i pjesës së dytë solli dy mundësi për Shkëndijën, por gjithmonë në krye të detyrës shfaqej portieri Bozhinovski. Sileksi mbrohej me gjithë forcat dhe nuk zgjidhnin mjete për të ndalur sulmet e kuqezinjëve, ndërsa si rezultat i qasjes së tillë në minutën e 58-të me karton të kuq përjashtohet Kristijan Kostovski pas një starti të ashpër prej pas shpine ndaj Paviçit. Shkëndija vijoi të sulmojë dhe kërkonte me gjithë forcat golin e fitores, por përkundër shanseve të shumta goli nuk erdhi, më shumë edhe për meritë të portierit mysafir, Daniel Bozhinovski. Në fund ndeshja mbyllet me barazim 1:1, me kuqezinjtë që gjithsesi mbeten në pozitën e parë në renditje.
Përfundon 1-1
#ShkëndijaSileks
Posted by KF Shkëndija on Saturday, October 3, 2020
“Filluam mirë por nuk fituam qoftë për fajin e gabimeve tona apo edhe për meritë të kundërshtarit. Kishim raste dhe duhej të kishim vrarë ndeshjen më shpejtë. Shënuam, por më pas gabuam dhe pranuam gol. Në pjesën e dytë u munduam të gjejmë golin, por kundërshtari u mbyll, sidomos pas kartonit të kuq na bëri edhe më të vështirë sepse ata u mbyllën më shumë për të na vështirësuar. Duhet të pajtohemi edhe me këtë rezultat dhe të shohim përpara”, u shpreh pas ndeshjes trajneri Ernest Gjoka.
SHKËNDIJA-SILEKSI 1:1(1:1)
Stadiumi i qytetit në Tetovë
Arbitër: Konstantin Vllaho (Shkup)
Golashënues: Ibraimi 25′ (Shkëndija), ndërsa Gjuriq 44’ (Sileksi)
Karton i kuq: Kostovski 58’ (Sileksi)
SHKËNDIJA: Zahov, Paviç, Bejtullai (c), Ibraimi, Totre (Nafiu 63′), Ahmedi (Es Sahal 89′), Murati, Krivak, Ramadani (Dita 46′), Alimi, Doriev.
Trajner: Ernest Gjoka
SILEKSI: Bozhinovski, Grozdanovski, Gjuriq, Serafimovski, Mustafov, Ristov (Dodevski 75’), Timovski (c), Neshovski (Kostovski 46’), Karçeski, Tanturovski (Bllagojeviq 90’+2), Kirovski.
Trajner: Dragan Ivanov