Shkëndija del me tre pikë nga transferta me Makedonija Gj.P. në Shkup në një ndeshje të dominuar, por që u vendos nga goli i Ibraimit nga penaltia.
- Ibraimi me penalti sjell tre pikë nga transferta me Makedonija Gj.P.
- Kuqezinjtë dominuan, por vendasit mbroheshin me 10-të futbollistë
- Bruno Dita debutoi me fanellën e Shkëndijës në një ndeshje zyrtare
- Vëmendja kthehet ka takimi në Azerbejaxhan për UEFA Europa League
Shkëndija merr fitoren e dytë me rradhë në kampionat dhe të parën si mysafire në tre xhiro të zhvilluara të sezonit të ri në Ligën e Parë të futbollit në Maqedoninë e Veriut. Kuqezinjtë që kësaj rradhe luajtën me fanella të bardha dominuan Makedonija Gj.P. në Shkup, mirëpo vendasit e orientuar në mbrojtje vështirësuan në maksimum rrugën drejt fitores që erdhi nga goli i vetëm i Ibraimit pak para fundit nga pika e bardhë e penaltisë. Shkëndija e vendosur në sulm që në fillim kërkoi të rrezikojë portën vendase, mirëpo gjërat nuk shkuan ashtu si duhet edhe pse Ramadani, Ibraimi, Ahmedi e Alimi kishin kanosjet e tyre në pjesën e parë.
Në të dytën Shkëndija shtoi presionin para portës vendase dhe përpos disa mundësive të humbura në dy raste u duk se duhej të kishim marrë penalti në favor, por arbitri kryesor Marjan Eckovski nuk mendonte ashtu. Gjithsesi ai nuk mund të mbyllte sytë në minutën e 84-t kur depërtimi i Es Sahalit u ndal me faul në zonë, ndërsa i saktë nga penaltia ishte Besart Ibraimi që me golin e parë sezonal solli tre pikë të mëdha për Shkëndijën.
“E dinim se do të ishte ndeshje e vështirë, pasi fusha e Makedonija Gj.P. gjithmonë është e vështirë, megjithatë më e rëndësishmë është se skuadra kalon stresin e ndeshjeve në transfertë dhe arrin të fitojë. Mund ta kishim zgjidhur ndeshjen akoma më herët, duhet të jemi më të qetë dhe të godasim kundërshtarin në ato raste që kemi. Po nuk është aq e thjeshtë, sepse skuadra ngadalë vjen duke përshtatur lojën që kërkojmë”, deklaroi pas ndeshjes trajner Ernest Gjoka.
Kuqezinjë me dy fitore dhe një barazim nga tre xhirot e para kampionale tashmë kthejnë vëmendjen ka Europa, pasi të enjten në Azerbajxhan do të luhet sfida e xhiros së parë të eliminatoreve të UEFA Europa League përballë Sumgayit FC.
MAKEDONIJA GJ.P.-SHKËNDIJA 0:1 (0:0)
Stadiumi në Gjorçe Petrov të Shkupit
Arbitër: Marjan Eckovski
Golashënues: Ibraimi pen. 87′ (Shkëndija)
MAKEDONIJA GJ.P.: Stevkovski, Demir, Atanskoski, Mishevski, Kitanovski, Liçina, Bozhinovski (c), Adem (Petrov 90′), Vosha (Filipovski 66′), Rodrigez (Barbos 72′), Emini.
Trajner: Zhikica Tasevski
SHKËNDIJA: Zahov, Murati, Krivak, Paviç, Bejtullai (c), Totre (Es Sahal 82′),Alimi, Ramadani (Dita 46′), Ahmedi, Doriev (Nafiu 79′), Ibraimi (Imeri 89′).
Trajner: Ernest Gjoka